Rezulton me Coronavirus presidenti i Çeçenisë që tallej me COVID-19

Presidenti dhe sunduesi pa rivalë i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov nuk është i vetmi lidër në botë që është tallur me koronavirusin. Ai ndryshe nga shumë të tjerë nuk lejonte mendimin ndryshe dhe shpesh kërcënontë mjekët dhe gazetarët që sugjeronin masa shtrënguese.


Ndërkohë gjatë gjithë kësaj periudhe ai ka përdorur një recetë të veçantë për të mposhtur koronavirusin.

“Mjaltë, limon dhe hudhër” ishin më se të mjaftueshëm për 43-vjeçarin që prej të paktën 10 vitesh bën ligjin në Grozny.

Por ditët e fundit, fillimisht sipas disa portaleve opozitare por më vonë të mbështetura edhe nga agjencitë shtetërore si Tass dhe Interfax, lideri çeçen është infektuar nga COVID-19, dhe është transportuar në Moskë me aeroplanin e tij personal, ku po kurohet në Spitalin klinik Qendror, që zakonisht preferohet nga nomenklatura ruse.

Ndërkohë nuk ka asnjë informacion në lidhje me shëndetin e tij, vetëm disa media bëjne me dije se ai ka probleme në mushkëri, Pak dihet për gjendjen e tij, por disa burime flasin për dëme të mëdha në mushkëri.

Bashkë me të atin Akhmad, ai ka luftuar me vite rusët gjatë luftës së parë në Çeçeni. Por me ardhjen në pushtet të Putin, gjithçka ndryshoi për familjen e tij, dhe mbështetja e tyre ndaj forcave ruse kundër rebelëve që kishin mbetur gjatë luftës së dytë çeçene, në 1999, i hapi dyert e pushtetit.

Mbështetja e Putin ka transformuar republikën autonome, me financime të mëdha që kanë shëruar disi plagët e luftës, por qeverisja e Kadyrov mbetet autoritare, dhe janë të shumta akuzat për tortura ndaj opozitarëve.