Rusia arreston dy shtetas amerikanë, dy të tjerë i dëbon

Rusia ka njoftuar të enjten se ka arrestuar dy shtetas amerikanë, të cilët ishin vullnetarë në shtetin rus si dhe ka arrestuar në kushte të flagrancës dhe dy të tjerë. Këta të fundit ndodhen në paraburgim. Nga Moska zyrtare u tha se dy persona janë deportuar për shkak të “shkeljes së ligjeve të emigracionit”, kurse dy të tjerët që Amerika i ka cilësuar si “shpirtra të mirë”, janë në burg, shkruan “Reuters”.

Agjencia e lajmeve Interfax e Rusisë tha se dy të dëbuarit quhen Kole Brodowski dhe David Udo Gaag e se ata ishin detyruar që të largohen nga Rusia, pas një vendimi gjykate në portin jugor të Novorossiysk të enjten. Moska i përshkroi të ndaluarit si vullnetarë me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ose quajtur ndryshe “Mormonët”.

“Unë mund të konfirmoj raportet për ndalimin e shtetasve të SHBA-së për shkelje të ligjeve të migracionit”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova.

“Katër u arrestuan, dy u deportuan me vendim gjykate”, tha ajo.

Një zëdhënës i kishës konfirmoi se dy nga vullnetarët e tij ishin ende në paraburgim.

“Ata mbeten në paraburgim derisa dëbimi i tyre po përpunohet,” tha zëdhënësi Eric Hawkins.

“Të rinjtë janë në gjendje të mirë shpirtërore, po trajtohen mirë dhe janë në kontakt të rregullt me presidentin e tyre të misionit dhe familjet e tyre”, shtoi ai.

Ka pasur disa arrestime të profilit të lartë të qytetarëve të SHBA-së në Rusi në muajt e fundit. Paul Whelan, një ish-marinës amerikan, i akuzuar për spiunazh, u ndalua për tri muaj dhe se rasti i tij është ende nën hetim. Një investitor i shquar amerikan, Michael Calvey, u arrestua muajin e kaluar për akuzat e vjedhjes së 2.5 miliardë rublave (37.79 milionë dollarë). Ai mohon pretendimin e autoriteteve.

Më tepër se 100 raste kriminale janë hapur gjithashtu në Rusi kundër Dëshmitarëve të Jehovait, ndërsa ndalimet janë diskutuar edhe në rrafsh diplomatik e politik, në kohën e raporteve disi të tensionuara mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.