×
  • Lajme
  • Botë

    Rusia rekruton sirianë që të luftojnë në Libi

    Reporteri
    07 Qershor 2020 | 11:09

    Rusia ka rekrutuar sirianë, që të luftojnë në Libi në krah të udhëheqësit militant Khalifa Haftar, posaçërisht në muajin maj ku me qindra mercenarë ishin regjistruar për luftë, kanë thënë pesë burime opozitare nga Siria dhe një burim rajonal i njohur me këtë çështje, raporton Reuters.


    Grupi privat kontraktues ushtarak Wagner Group është duke kryer rekrutimin nën mbikëqyrjen e ushtrisë ruse, sipas dy burimeve të larta të opozitës nga Siria dhe burimit rajonal. Një ish-anëtar i Grupit Wagner tha se për herë të parë ka dërguar sirianë në Libi në vitin 2019.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe Grupi Wagner nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Reuters.

    Turqia, ndërkohë, është duke dhënë përkrahje ushtarake anës tjetër të konfliktit, Qeverisë së Marrëveshjes Kombëtare (GNA) e bazuar në Tripoli, e cila është e pranuar ndërkombëtarisht.

    Presidenti i Turqisë, Tayyip Erdogan, në shkurt pat thënë se luftëtarët nga Ushtria Kombëtare e Sirisë, të mbështetur nga Turqia janë duke luftuar në Libi, krah vetë ushtrisë së Turqisë.

    Rusia ka qenë aleat i fuqishëm i presidentit të Sirisë Bashar al-Assadit, duke i ndihmuar që të shtypë kryengritjen në Siri. Përfshirja e Moskës në Libi është zgjatje e ambicies për të pasur ndikim edhe më të madh në Mesdheun Lindor, thonë ekspertet.

    Edhe Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dërguar përkrahje Haftarit sepse dyshojnë që GNA e përkrahur nga Turqia ka lidhje me Vëllazërinë Myslimane, grup islamist të cilin e kundërshtojnë ashpër.

    Ndërsa Turqia ka bërë marrëveshje me GNA për kufijtë detarë dhe dëshiron të mbron vetë interesat e saja në këtë rajon, transmeton KOHA.

    Përfshirja e Rusisë dhe Turqisë në anët e kundërta të konfliktit në Libi ka ngjashmëri të madhe me luftën në Siri, ku këto dy shtete kanë mbështetur palët luftuese. Kjo gjë rrezikon rritjen e konfliktit, kanë paralajmëruar ekspertët.

    “Edhe Rusia edhe Turqia janë duke i rritur armët dhe numrat e ushtarëve në Libi, ku Evropa është përjashtuar tërësisht”, tha Joshua Landis, kreu i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme në Universitetin Oklahoma, SHBA.

    Wagner ka zbarkuar afro 1,200 njerëz në Libi, sipas një raporti konfidencial të OKB-së të parë nga Reuters në muajin maj. Shteti Rus ka mohuar se ka trupa ne Libi.

    Kur është pyetur në janar nëse Grupi Wagner po lufton në Libi, presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka thënë se nëse ka ndonjë rus në Libi, nuk janë duke e përfaqësuar shtetin Rus, e as nuk janë duke u paguar nga ky shtet.

    Një zëdhënës nga Ushtria Kombëtare e Libisë e Haftarit, ka mohuar rekrutimin e luftëtareve sirianë. Por vazhdimisht ka theksuar prezencën e luftëtarëve sirianë në anën e armikut.

    Zyrtarët e SHBA-së kanë thënë më 7 maj se besojnë që Rusia është duke punuar me Assadin për t’i transferuar ushtarët militantë dhe pajisjet nga Siria në Libi.

    Zëvendës ministri i mbrojtjes i GNA-së Saleh Namroush tha se kërkesat për përkrahje ushtarake janë bërë për shkak “përzierjes ndërkombëtare në Libi”

    “Turqia është shteti i vetëm i cili ka dashur të na ndihmojë për të përfunduar vrasjen e civilëve dhe shkatërrimin nga Emiratet et Bashkuara Arabe, Rusia dhe tjerët”, ka thënë ai.

    Sipas Mbikëqyrësit Sirianë për të Drejtat e Njeriut, që raporton për Sirinë duke përdorur një rrjet të burimeve në terren, më shumë se 900 sirianë janë rekrutuar nga Siria për të luftuar në Libi në muajin maj.

    Luftëtarët trajnohen në bazën në rajonin Homs para se të shkojnë në Libi, dhe burimet thonë se pagat shkojnë prej 1,000 dollarë deri 2,000 dollarë në muaj.

    Lëvizja e luftëtarëve në Libi shkelë embargon e armëve të vendosur nga OKB-ja.

    Që nga viti 2014 Libia është e ndarë në rajone të kontrolluara nga qeveria në Tripoli dhe territor të mbajtur nga forcat e Haftarit të bazuara në Benghazi.

    Haftar përkrahet nga Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti. Shtetet mohojnë përfshirje të drejtë për drejtë në konflikt.

    Pavarësisht kësaj përkrahjeje, forcat e GNA të përkrahur nga Turqia përçanë grupet e Haftarit afër Tripolit të premten, duke përmbytur ofensivën 14 muajsh në kryeqytet.

    Kjo sprapsje, e zgjeron GNA-në në shumicën e Libisë veri perëndimore. Haftari dhe grupet aleate ende kontrollojnë lindjen dhe shumicën e jugut, si dhe shumicën e fushave me naftë të Libisë.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!