×
  • Lajme
  • Botë

    Serbia armatoset deri në dhëmbë me armë kineze

    Reporteri
    20 Maj 2021 | 18:35

    Pas armëve ruse, Serbia ka vendosur të armatoset deri në dhëmbë më armë kineze. Edhe pse në mes të një pandemie globale, Beogradi ka rritur edhe këtë vit shpenzimet për fuqizimin e ushtrisë, duke importuar dronë nga Kina në vlerë prej 19.3 milionë dollarësh.


    Çmimi me të cilin Serbia ka blerë dronët luftarakë-zbulues nga Kina, është mbajtur sekret që nga korriku i vitit 2020, kur dronët janë shfaqur për herë të parë në aeroportin ushtarak të Batajnicës, në Beograd.

    Industria serbe e mbrojtjes po rritet dhe po modernizohet dita-ditës, ndërkohë që Beogradi ndërton muskujt e tij ushtarak falë bashkëpunimin me Rusinë dhe së fundmi me Kinën. Beogradi po modernizon ushtrinë duke blere tanke, avionë, helikptore dhe një sistem për mbrojtjen e zonës së tij ajrore. Rritja e armatimeve duket se vjen si një demonstrim i përpjekjeve të autoriteteve serbe për fuqizimin e aftësive ushtarake të Beogradit.

    Ministria serbe e Mbrojtjes të Serbisë thotë se dronet e blerë së fundmi, CH-92A, mund të godasë objektivin nga një distancë prej nëntë kilometrash dhe mund të regjistrojë terrenin dhe pozicionin e njësive të armikut nga një distancë prej 250 kilometrash.
    Lartësia maksimale në të cilën fluturon është 5,000 metra, ndërsa shpejtësia është pak më pak se 200 kilometra në orë.

    Dronët CH-92A, mes tjerash, përdoren për studim të terrenit nga ajri dhe sulme me raketa. Çdo dron është i pajisur me dy raketa, që mund të godasin një objektiv nga një distancë prej 9 kilometrash.

    Sipas faqes zyrtare të Korporatës Shkencore dhe Teknologjike të Aviacionit kinez, kompania eksporton dronë në më shumë se 30 vende dhe rajone në botë, përfshirë Azinë, Afrikën dhe Europën.

    Programi i prodhimit të kompanisë përfshin edhe dronin CH-4, i cili thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme dhe është në përdorim në Egjipt, Etiopi, Jordani, Pakistan dhe Mianmar.

    Zëvendësministri serb i Mbrojtjes, Nenad Miloradoviç njoftoi vitin e kaluar Serbia kishte rënë dakord të blinte armë të sofistikuara dhe teknologji ushtarake nga Kina, “të cilat nuk i ka asnjë vend tjetër në Ballkan”. “Kjo është aftësi që vetëm ushtarakët më të aftë të botës e kanë dhe do ta jetë tanimë në dispozicion të ushtrisë serbe”, shtoi Miloradoviç.

    Nikolla Llunic, drejtor ekzekutiv i Këshillit joqeveritar për Politikat Strategjike thotë blerja e armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Kina paraqet rrezik për politikën e jashtme të Serbisë.

    Duke marrë parasysh që Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe po përpiqet të përmirësojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, Serbia po rrezikon integrimet perëndimore duke rritur bashkëpunimin ushtarako-teknik me Rusinë dhe Kinën.

    “Kjo mund të ketë pasoja jo vetëm në marrëdhëniet me Bashkimin Europian ose Shtetet e Bashkuara, por edhe me Federatën Ruse”, ka thënë Llunic.

    Sipas tij, problem i vërtetë do të ishte mbështetja strategjike në teknologjinë kineze. “Duhet të kihet parasysh se akuzat për kopjimin e pronës intelektuale në Kinë, po bëhen më të zëshme. Kompania shtetërore ruse Rostek e ka akuzuar gjithashtu Pekinin, duke thënë se në 17 vjetët e fundit, ai ka kopjuar sisteme luftarake ruse në 500 raste”, ka thënë Llunic.

    BE ka vendosur embargo armësh ndaj Kinës qysh më 1989, pas shtypjes së dhunshme të protestave në Pekin.

    Për të njëjtën arsye, embargo ka vendosur edhe SHBA-ja, e cila në gusht të vitit 2020 e ka paralajmëruar Serbinë në lidhje me prokurimin e armëve nga Kina. Paralajmërimi është bërë pas blerjes se sistemit kinez të mbrojtjes raketore, FK-3.

    “Qeveritë duhet të jenë të vetëdijshme për rreziqet afatshkurtra dhe afatgjata dhe kostot e të bërit biznes me kompanitë kineze”, ka thënë atëkohë Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd.

    Vitet e fundit Serbia ka shpenzuar qindra miliona euro për blerjen e avionëve ushtarake nga Rusia dhe ka blerë gjithashtu edhe dhjetëra helikopterë ushtarakë si dhe një sërë armësh të tjera nga Kina.

    10 mjete të blinduara ruse kanë mbërritura së fundmi në një bazë ushtarake të ushtrisë serbe në Nish. Automjetet ushtarake ruse, të llojit “BRDM-2” i janë dorëzuar Serbisë, pavarësisht refuzimit të Rumanisë fqinje për të mos i lejuar ato të kalojnë përmes lumit Danub për shkak të sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë. Edhe pse presidenti serb u mundua ta mbante të fshehtë, mediat europaine kanë zbuluar se automjetet e blinduara u transportuan për në Serbi nga aeroplanët rus javën e kaluar, duke përdorur hapësirën ajrore hungareze, pasi Budapesti ishte i vetmi që lejoi transportin e armëve ruse.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!