SHBA do t’i dhurojë 60 milionë doza të vaksinës AstraZeneca për shtetet që kanë nevojë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shpërndajnë deri 60 milionë doza të vaksinës “AstraZeneca” me shtetet tjera sapo që ato doza të jenë në dispozicion, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.


Dozat e vaksinës kundër koronavirusit do të ndahen në muajt në vijim.

SHBA-ja ka një rezervë të vaksinës edhe pse rregullatorët e saj nuk e kanë autorizuar ende për përdorim publik.

Kritikët kanë akuzuar qeverinë për grumbullim të vaksinës, ndërsa shtetet tjera janë në nevojë.

Muajin e shkuar, presidenti Joe Biden u zotua se do të ndajë katër milionë doza të vaksinës “AstraZeneca” me Meksikën e Kanadanë – të cilat e kanë miratuar për përdorim.

Kriza në Indi po ashtu ka shtuar presionin në administratën e Bidenit për të ndarë burimet shëndetësore të SHBA-së.

Të hënën, Shtëpia e Bardhë ka thënë se pret që rreth 10 milionë doza të kësaj vaksine të shpërndahen menjëherë në javët në vijim, ndërsa edhe 50 milionë doza të tjera në faza të ndryshme të prodhimit.

Amerika deri tash ka miratuar vaksinën e “Pfizerit”, “Modernas” dhe “Johnson & Johnson”. Sipas të dhënave, më shumë se 53 për qind e të rriturve tashmë ka marrë të paktën një dozë.