×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA-ja dhe Japonia forcojnë aleancën, marrëveshje e re tregtare në muajin gusht

    Reporteri
    27 Maj 2019 | 12:37

    Tensionet me Iranin dhe Korenë e Veriut, dhe raportet tregtare SHBA-Japoni ishin fokusi i takimit që kryeministri japonez Shinzo Abe organizoi të hënën me të ftuarin e tij, presidentin Donald Trump. Dy palët konfirmuan vendosmërinë për ta forcuar më tej aleancën. Trump u prit edhe nga perandori i ri i vendit, Naruhito.


    Japonia mund të luajë rol ndërmjetësues në konfliktin midis SHBA-së dhe Iranit që vazhdon prej muajsh.

    Lajmi u konfirmua të hënën gjatë një takimi që kryeministri japonez Shinzo Abe organizoi me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.

    SHBA-ja, por më herët edhe Teherani, përsëritën se mbeten të gatshëm të hyjnë në bisedime pajtuese, dhe do të përpiqen të shmangin përshkallëzimin e situatës.

    Presidenti Trump drejtoi një mesazh të ngjashëm pajtues edhe ndaj Koresë së Veriut, dhe shprehu besim se vendi do të përmbushë zotimet e dhëna më parë për çarmatimin e plotë bërthamor të gadishullit.

    Fokusi i takimit të dy shtetarëve u fokusua edhe te forcimi i aleancës SHBA-Japoni.

    Duke përmendur raportet tregtare, u njoftua se në muajin gusht do të bëhet publike një marrëveshje dypalëshe që pritet të adresojë edhe deficitin e lartë tregtar mes dy vendeve.

    Japonia gjithashtu do të blejë më shumë avionë luftarakë të prodhuar në Amerikë, ndërsa dy aleatët u zotuan të dërgojnë së bashku astronautë për misione të ndryshme hapësinore.

    Bisedimet dypalëshe që vijnë në kuadër të vizitës shtetërore katërditore të presidentit Trump në Japoni u paraprinë në fundjavë nga momente relaksuese sportive të dy delegacioneve.

    Të hënën shefi i Shtëpisë së Bardhë, i shoqëruar nga zonja e tij Melania, u bë gjithashtu i pari lider i huaj që pritet nga perandori i ri i Japonisë, Naruhito.

    Takimi në pallatin perandorak u vlerësua si nder i madh nga të dyja palët, ndërsa ditën e martë përpara largimit Presidenti amerikan do të vizitojë një bazë ushtarake të vendit të tij në Japoni.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!