×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA rrit presionin mbi Iranin, godet eksportet e naftës

    Reporteri
    22 Prill 2019 | 18:25

    Administrata e presidentit Trump njoftoi të hënën se të gjitha shtetet që blejnë naftë nga Irani do të jenë subjekt i sanksioneve amerikane.


    Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë thuhet se “Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të ndërmarrin veprime në kohë, për të siguruar plotësimin e nevojave globale kur nafta iraniane të hiqet nga tregu”.

    “Ky vendim synon t’i çojë eksportet e Iranit në zero, duke e privuar regjimin nga burimi kryesor i të ardhurave”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

    Vendimi nënkupton që masat lehtësuese për pesë vende, përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Turqinë, nuk do të vazhdojnë pasi të skadojnë më 2 maj.

    Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Iranin si sponsorizues të terrorizmit global.

    “Do të vazhdojmë të aplikojmë presion maksimal ndaj regjimit iranian, derisa udhëheqësit e tij të ndryshojnë sjelljen shkatërruese, të respektojnë të drejtat e popullit iranian dhe të kthehen në tryezën e negociatave”, tha përmes një deklarate sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

    Eksportet e naftës janë burimi kryesor i të ardhurave për Teheranin, i cili është goditur rëndë nga rivendosja e sanksioneve të SHBA-së, prejse kjo e fundit është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore, vitin e kaluar.

    Administrata Trump shpreson të detyrojë Iranin të negociojë një “marrëveshje të re”, e cila do të mbulojë jo vetëm aktivitetet e saj bërthamore, por edhe programin e raketave balistike dhe atë që zyrtarët e quajnë “sjellje e keqe” e saj në të gjithë Lindjen e Mesme.

    Zyrtarët amerikanë kanë këmbëngulur se nuk po kërkojnë “ndryshim të regjimit”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!