×
  • Lajme
  • Botë

    Shefi i Pentagonit paralajmëron për rrezikun e Al-Kaidës dhe ISIS-it në Afganistan

    Reporteri
    18 Qershor 2021 | 9:05

    Zyrtarë të lartë amerikanë të mbrojtjes po japin një paralajmërim shqetësues në lidhje me rrezikun që grupet kryesore terroriste në Afganistan do të paraqesin për Amerikën sapo trupat e fundit amerikane dhe të koalicionit të largohen nga vendi në muajt e ardhshëm.


    Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha ligjvënësve të enjten se grupeve si al-Kaida apo Shtetit Islamik do t’u duhen “ndoshta rreth dy vjet” për të rigjeneruar aftësitë e tyre për të planifikuar sulme kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë.

    Kreu i Shtatëmadhorisë amerikane, Gjenerali i Ushtrisë Mark Milley, paralajmëroi më tej se ky afat kohor mund të ngushtohet në varësi të fatit të qeverisë aktuale afgane.

    “Nëse do të kishte një kolaps të qeverisë ose një shpërbërje të forcave afgane të sigurisë, ky rrezik padyshim që do të rritej,” tha gjenerali Milley.

    Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi në prill vendimin për të tërhequr të gjitha trupat e mbetura amerikane nga Afganistani, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë arritur qëllimin e tyre fillestar – për të mbajtur përgjegjës al-Kaidën dhe udhëheqësin e saj Osama bin Laden për sulmet terroriste të 11 shtatorin 2001, në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju York dhe Pentagon.

    “Ne i dhamë bin Ladenit atë që i takonte,” tha presidenti Biden në një fjalim në një sesion të përbashkët të Kongresit. “Ne zvogëluam kërcënimin e terrorit të al-Kaidës në Afganistan.… pas 20 vjetësh trimërie dhe sakrificash të guximshme, është koha t’i sjellim trupat tona në atdhe”, tha presidenti.

    Por shqetësimet për potencialin që al-Kaida dhe Shteti Islamik në Afganistan, të rikthehen në mungesë të trupave amerikane në terren, kanë vazhduar.

    Zyrtarët amerikanë të ushtrisë dhe të inteligjencës kanë paralajmëruar vazhdimisht për një efekt të mundshëm domino që mund të destabilizojë jo vetëm Afganistanin, por edhe fqinjët e tij, duke u dhënë grupeve terroriste mundësinë e shumëpritur për të forcuar dhe zgjeruar operacionet e tyre.

    “Kudo që shohim një prani të konsiderueshme terrori, ekziston rreziku që ajo të bëhet një lloj platforme për të kërcënuar vendin tonë,” u tha ligjvënësve javën e kaluar Christine Abizaid, e emëruar për të udhëhequr Qendrën Kombëtare Amerikane Kundër Terrorizmit, duke vënë në dukje nevojën për të bërë “presion të pamëshirshëm” ndaj grupeve si al-Kaida dhe IS-i për të minimizuar rrezikun.

    Një vlerësim i fundit nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara ka ngritur gjithashtu shqetësimin, duke paralajmëruar se kryengritësit talibanë në Afganistan duket se janë të gatshëm të rrëzojnë qeverinë aktuale afgane me forcë nëse negociatat nuk japin rezultate të favorshme.

    Zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë dhe në Pentagon kanë kërkuar të sigurojnë publikun se Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë të luftojnë një rishfaqje të mundshme të al-Kaidës dhe IS-it, përmes sulmeve me raketa me rreze të gjatë veprimi, qoftë nga bazat amerikane apo nga transportuesit e avionëve në Lindjen e Mesme.

    “Ne do të kemi ende aftësinë ajrore për të shkuar pas al-Kaidës dhe ISIS-it në qoftë se këto objektiva shfaqen dhe duhet t’i eliminojmë”, i tha Zërit të Amerikës këtë javë gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie, komandanti i Komandës Qendrore Amerikane.

    Megjithatë, McKenzie paralajmëroi se “presioni i vazhdueshëm kundër terrorizmit, presioni i drejtpërdrejtë”, ka qënë ai që ka penguar që grupi “të kthehej dhe të zgjerojë numrin e luftëtarëve”.

    Edhe pse tërheqja e trupave amerikane është realizuar tashmë më shumë se 50%, planet për atë se si do të duket aftësia për sulmet ajrore “mbi-horizont” nuk është shumë e qartë.

    Koha po afron, me trupat amerikane dhe ato të koalicionit që ka të ngjarë të jenë jashtë Afganistanit shumë përpara afatit të shtatorit të vendosur nga presidenti Biden./VOA/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!