Shërbimi sekret i Venezuelës arreston një gazetar të njohur

Luis Carlos Diaz është një nga gazetarët më të njohur në Venezuelë. Ai ka raportuar kohëve të fundit për krizën e madhe politike në vendin e tij dhe ndërprerjet e rrymës. Diaz është arrestuar nga policia sekrete e Venezuelës, ndërsa ky veprim është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.


Gazetari i njohur u shpall i zhdukur të hënën rreth orës 5 e 30 minuta të pasdites. Ai kishte dalë nga zyrat e radios në Karakas dhe nuk është kthyer më.

Në orët e para të ditës së martë, kolegët e tij gazetarë kanë konfirmuar se Diaz është rrëmbyer ose është arrestuar nga anëtarët e shërbimit venezuelas të inteligjencës, “Sebin”.

Unioni Kombëtar i Gazetarëve ka thënë se agjentët hetues e kanë rrethuar shtëpinë e gazetarit Diaz në orët e para të mëngjesit dhe i kanë konfiskuar disa kompjuterë.

Besohet se ai është duke u mbajtur në burgun famëkeq të të burgosurve politikë, “El Helicoide”.

Luz Mely Reyes, gazetare e njohur venezuelase, ka thënë se Maduro po mundohet t’i frikësojë gazetarët. “Një nga gjërat që Maduro po mundohet t’i bëjë është kërcënimi i gazetarëve dhe pengimi i tyre për ta treguar të vërtetën”, tha ajo, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.