Shkencëtarja zbulon: Asnjë hetim në laboratorin e Wuhan nga frika e lidhjes me Trump

Alina Chan, një nga 18 shkencëtarët që nënshkruan letrën duke kërkuar rihetime mbi origjinën e Sars-Cov-2, nuk deklaroi se virusi me siguri ka shpëtuar nga laboratori kinez në Wuhan, por ka avancuar një dyshim që tani mendohet nga shumë njerëz. Sipas saj në fillim të pandemisë, fakti që Donald Trump, sulmoi politikisht disa herë Kinën me shpërthimin e pandemisë në Perëndim, do të kishte kushtëzuar komunitetin shkencor, që për të mos rrezikuar me akuzën e racizmit dhe bashkëpunimit me presidentin amerikan, preferoi të mos i shkonte deri në fund të çështjes.


“E gjithë bota është në kërkim të një prove domethënëse në Wuhan, por ne kemi gjetur vetëm disa pika në oqean”, – tha Chan.

Shkencëtarja pretendon se disa kolegë, në shpërthimin e pandemisë, ishin në ankth. Frika ishte se fjalët e tyre do të keqkuptoheshin ose do të përdoreshin për të mbështetur paragjykimet. Trump ndezi zjarrin dhe akuzoi drejtpërdrejt Institutin e Virologjisë në Wuhan se ishte i lidhur me përhapjen e koronavirusit nëpër botë.

“Në atë kohë, ishte e frikshme të lidhej me Trump dhe të bëhej një mjet i mundshëm i racizmit, kështu që askush nuk donte të dilte me një kërkesë zyrtare për të hetuar origjinën në laborator”, tha Chan.

Sot, me ndryshimin e Shtëpisë së Bardhë dhe me udhëheqjen e Joe Biden, shumë studiues janë të prirur të marrin në konsideratë teoritë e mundshme, pa përjashtuar asnjë.