×
  • Lajme
  • Botë

    Shtatë viktima nga tornadot në shtetet e Oklahomës e Misurit

    Reporteri
    24 Maj 2019 | 16:23

    Stuhi të forta me shpejtësi deri në 260 kilometra vijojnë të përshkojnë pjesën qendrore të Amerikës. Deri tani, mbi 170 tornado që po godasin vendin prej javës së kaluar kanë shkaktuar shtatë viktima. Autoritetet lajmërojnë se rreziku i stuhive mbetet i lartë edhe javën e ardhshme.


    Të paktën shtatë viktima janë shënuar këtë javë nga një seri stuhish shkatërrimtare që vijojnë të përshkojnë Amerikën Qendrore.

    Pas tornadove që goditën shtetet e Oklahomës dhe Joueit disa ditë më parë, shtjellat e forta të ajrit me shpejtësi mbi 260 kilometra në orë u shtrinë edhe në Misuri, duke ngritur në qiell objekte të ndryshme deri në 4 kilometra lartësi.

    Erërat u shoqëruan me shira të rrëmbyer dhe dalje të lumenjve nga shtrati që brenda disa orëve prodhuan rrënoja dhe pasoja katastrofike.

    Disa qytetarë thanë se nëse sirenat e alarmit do të ishin aktivizuar përpara mesnatës, mund të ishte parandaluar humbja e jetëve.

    Ngushëllime për viktimat shprehu të enjten edhe presidenti i vendit, ndërsa nxiti qytetarët të tregojnë vigjilencë edhe në ditët e ardhshme.

    Në disa pjesë të kryeqytetit Xheferson në Misuri është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike apo janë evakuuar.

    Prej një jave vendi është përshkuar nga mbi 170 tornado, ndërsa stuhi të tjera parashikohet të godasin qendrën dhe perëndimin e SHBA-së ditën e premte.

    Shtjellat e forta ajrore vijnë në kohën kur në Misuri dy ditë më parë përkujtoi pasojat e një tjetër tornadoje të ngjashëm që vrau mbi 160 persona në qytetin juglindor të Xhoplinit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!