×
  • Lajme
  • Botë

    Si u zbulua vite më parë “kasapi i Bosnjës” që synonte të zhdukte të gjithë myslimanët

    Reporteri
    20 Mars 2019 | 14:40

    Vite më parë, Radovan Karaxhiq ishte bërë Dragan Dabiq. Nën një mjekërr të dendur dhe një kapelë kashte, ai i ishte shmangur drejtësisë për më shumë se një dekadë përpara se të zbulohej, transmeton Reporteri.net 


    Karaxhiq i njohur edhe si “kasapi i Bosnjës” ishte njëri ndër të kërkuarit kryesorë nga Gjykata e Hagës për krime lufte ndaj popullsisë gjatë luftës në Bosnjë.

    Në një intervistë të mëvonshme, Karaxhiq zbuloi se si kishte arritur t’i shmangej drejtësisë për kaq kohë.

    Ai zbuloi se si Dragan Dabiq filloi të paraqitej kur u vra ish kryeministri serb, Zoran Gjingjiq, dhe kur Serbia miratoi ligjin për bashkëpunim me Hagën.

    “Së pari u desh që nga 112 kg, të bie në 80. Fillova të vishja rroba të tjera, funde, këmisha të gjera, gjithçka që nuk kisha veshur. Ndoqa leksione për t’u ushqyer shëndetshëm, punova për disa kompani dhe më pas si konsulent në disa zyra të mjekëve privat dhe përfundova një kurs parapsikologjik. Mësues e kisha një njeri të jashtëzakonshëm, ai ma dha emrin Dragan”, kishte rrëfyer ai.

    Karaxhiq u arrestua më 10 korrik të vitit 2008 në autobusin e qytetit të Beogradit në linjën 73, në një aksion të shërbimeve serbe të sigurisë kur agjentët në terren dyshuan se ai ishte gati të ikte.

    Në momentin kur u arrestua ai deklaroi se “Haga e dinte se është një dem i egër”.

    Deklarata e Karaxhiqit se një e treta e myslimanëve do të vriteshin, një pjesë do të konvertohej në ortodoksë dhe pjesa tjetër do të largohej me vullnetin e tyre dhe se në këtë mënyrë të gjithë myslimanët do të zhdukeshin nga Bosnja, shërbeu si dëshmi e gjallë për qëllimet e tij për xhenocid.

    Radovan Karaxhiq, ishte njëri ndër të kërkuarit kryesor të Tribunalit të Hagës, për krime gjatë luftës në Bosnje, në vitet 1992-1995.

    Prokuroria në Hagë ka kërkuar burgim të përjetshëm për krimet e tij që përfshijnë përgjegjësinë për masakrimin e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë në  vitin1995, rrethimin dhe granatimet e Sarajevës dhe kapjen e më shumë se dyqind paqeruajtësve dhe vëzhguesve ushtarakë të OKB-së që nga forcat e tij u mbajtën peng në vende të ndryshme.

    Në 24 mars 2016, Tribunali i Hagës shqiptoi vendimin kundër Karaxhiqit: 40 vjet burg. ndër të tjera për krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe rrethim të Sarajevës. Sot. më 20 mars jepet verdikti përfundimtar për të./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!