×
  • Lajme
  • Botë

    Sllovakia dëbon tre diplomatë rusë, SHBA-ja e mirëpret vendimin

    Reporteri
    11 Gusht 2020 | 15:25

    Departamenti amerikan i Shtetit e ka mirëpritur vendimin e Sllovakisë për dëbimin e tre diplomatëve rusë. Mediat në Sllovaki e kanë lidhur dëbimin e tyre me vrasjen e vitit 2019 në Berlin, të një ish-rebeli çeçen nga Gjeorgjia.


    Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, shkroi në Twitter më 11 gusht se SHBA-ja “mirëpret veprimet e fundit të ndërmarra nga Sllovakia për tu mbrojtur kundër kërcënimeve që aktorët e huaj paraqesin ndaj sovranitetit të saj”.

    “Sllovakia ka dërguar një sinjal të qartë se nuk do të tolerojë veprimet kriminale të motivuara politikisht nga Rusia”, shkroi Ortagus.

    Më 10 gusht, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme sllovake, Juraj Tomaga, tha se tre diplomatët rusë, kishin shkelur Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe deri në fund të javës, duhej të largoheshin nga Sllovakia.

    Sipas Tomaga, vendimi ishte gjithashtu një reagim ndaj keqpërdorimit të një vize Shengen, të lëshuar nga konsullata e Sllovakisë në Shën Petersburg, që çoi në “një krim të rëndë në territorin e një shteti tjetër të NATO-s dhe BE”.

    Mediat ruse citojnë zyrtarët e ministrisë së Jashtme në Moskë të kenë thënë se Rusia do t’u përgjigjet dëbimeve “në një mënyrë të ngjashme”.

    E përditshmja Dennik N e Sllovakisë raportoi se një qytetar rus, përdori një vizë Sllovake për të hyrë në Gjermani në vitin 2019 dhe më vonë ai u bë i dyshuar për vrasjen në Berlin të Zelimkhan Khangoshvilian (në foto) , një shtetas nga Gjeorgjia me origjinë çeçene.

    Autoritetet gjermane arrestuan të dyshuarin dhe prokurorët e kanë akuzuar Rusinë për urdhërimin vrasjes. Moska e mohon akuzën.

    Organizata ndërkombëtare e gazetarëve hetues – Bellingcat – më parë e emëroi të dyshuarin si një shtetas rus, Vadim Krasikov, duke thënë se ai ishte një vrasës i kontraktuar/REL.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!