×
  • Lajme
  • Botë

    Theresa May apelon opozitën për marrëveshjen BREXIT

    Reporteri
    05 Maj 2019 | 12:42

    Kryeministrja britanike Tereza Mej i ka bërë thirrje liderit të opozitës, Xheremi Korbin, që të lënë mënjanë dallimet politike dhe të bien dakord për marrëveshjen Brexit.


    Në një artikull të publikuar të dielën në gazetën konservatore “Dhë Mejl on Sandei”, shefja e ekzekutivit apeloi politikën ta dëgjojë mesazhin e dhënë nga qytetarët në zgjedhjet vendore të së enjtes.

    Konservatorët humbën mbi 1,300 këshilltarë në bashkitë e vendit, laburistët 80 të tillë, ndërsa më të fituarit dolën liberaldemokratët dhe të pavarurit me qëndrimet e tyre anti-Brexit.

    “Prej 34 muajsh nuk kam reshtur së kërkuari mbështetje për një marrëveshje e cila besoj sinqerisht se, për herë të parë pas shumë dekadash, na rikthen kontrollin mbi kufijtë dhe financat tona. Tanimë nuk mund të ngremë supet dhe të themi që realizimi i Brexit është shumë i vështirë. Qytetarët janë shprehur në vitin 2016 dhe sërish në zgjedhjet e kësaj jave, ndaj duhet ta përmbushim vullnetin e tyre.”

    Kryeministrja Mej është zotuar të vijojë të martën negociatat me laburistët, dhe raportohet se mund të arrijë kompromis për tri kërkesat e opozitës në lidhje me rregullat doganore dhe ato tregtare mes Britanisë dhe BE-së, apo të drejtat e punonjësve përkatës.

    Ish-lideri konservator Jan Dankan Smith tha të shtunën se dy liderët e partive kryesore janë diskredituar në zgjedhjet e fundit vendore dhe nuk mund të marrin vendime madhore, ndërsa qëndrimi në të njëjtin sistem doganor me BE-në do të ishte katastrofik për Partinë Konservatore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!