Trump fal ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare, Michael Flynn

Presidenti Trump shpalli falje të plotë për këshilltarin e tij të parë të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, të cilit iu desh të përballej me një betejë të gjatë ligjore me prokurorët federalë, si rrjedhojë e hetimit për çështjen e Rusisë.


Presidenti Trump e njoftoi lajmin në Twitter në prag të festës së Falënderimeve.

“Është nderi im i madh të njoftoj se Gjeneralit Michael T. Flynn i është dhënë Falje e Plotë. [email protected] dhe familjes së tij të mrekullueshme; e di që tani ju do të kaloni një festë Falënderimesh vërtet fantastike!” shkruante ai.

Falja i jep fund një odiseje të gjatë ligjore për Flynn, i vetmi anëtar i administratës Trump ndaj të cilit u ngritën akuza si pjesë e hetimit për Rusinë, të kryer nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

Ai pranoi fajësinë në vitin 2017, për akuzat se kishte gënjyer FBI-në rreth kontakteve të tij me ambasadorin rus në Uashington.

Flynn ishte ndër ndihmësit e parë të presidentit që pranoi fajin në hetimin e prokurorit Mueller dhe për muaj të tërë ai bashkëpunoi mjaft me prokurorët. Bashkëpunimi ishte aq i gjerë saqë prokurorët nuk rekomanduan burgim dhe lanë të kuptohej se do të ishin të kënaqur me një lirim me kusht.

Më vonë, Flynn ndërroi avokatë dhe taktikë, duke argumentuar se prokurorët e çështjes e kishin futur në kurth dhe e kishin bërë të gënjente në lidhje me bisedat që kishte patur në dhjetor 2016 me ambasadorin rus Sergei Kislyak.

Departamenti i Drejtësisë ka mohuar në mënyrë të përsëritur aludimet për gabime të prokurorisë. Në dhjetor 2019, gjyqtari i Gjykatës së Qarkut Emmet Sullivan i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e Flynn.

Në janar të këtij viti, prokurorët federalë i kërkuan gjyqtarit ta dënonte Flynn me deri në gjashtë muaj burg, duke argumentuar se: “I pandehuri nuk ka nxjerrë mësime. Ai është sjellë sikur ligji të mos kishte vlerë për të dhe sikur veprimet e tij të mos kishin ndonjë pasojë”.

Flynn ka qenë gjithashtu kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes në Pentagon, por u detyrua të largohej në vitin 2014 pjesërisht për shkak të stilit të tij të menaxhimit dhe opinioneve se si duhej luftuar militantizmi islamik.

Ai iu bashkua fushatës zgjedhore të Trump në vitin 2016. Në Kuvendin Kombëtar Republikan të atij viti, ai nxiti mbështetësit e Trump të brohorisnin me thirrjet “Burgoseni!”, duke iu referuar kandidates demokrate Hillary Clinton.

Ish-ndihmës të tjerë të Trump u dënuan për krime federale pas hetimit për Rusinë.

Miku dhe këshilltari i tij i vjetër Roger Stone u dënua në 20 shkurt me tre vjet e katër muaj burg për pengim të drejtësisë, manipulim të dëshmitarëve dhe mashtrim të ligjvënësve që hetonin ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s. Në korrik 2020, Presidenti Trump e reduktoi dënimin e tij.

Paul Manafort, ish-kryetar i fushatës së Trump, u dënua vitin e kaluar me 3,5 vjet burg, pasi u shpall fajtor për lobim të paligjshëm dhe manipulim të dëshmitarëve. Kjo, së bashku me fajësinë për një çështje tjetër, e çonte dënimin e tij të përgjithshëm në më shumë se 7 vjet.

Falja e Flynn pritet të dënohet nga kritikët, të cilët kanë thënë se veprimet e Presidentit Trump për të ndihmuar miqtë e tij, janë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Krerët demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve e dënuan faljen.

Qysh në muajin mars, Presidenti Trump tha se po shqyrtonte fuqimisht mundësinë e një faljeje të plotë për Flynn. Ai tha se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë ia kishin “shkatërruar” jetën Flynn dhe familjes së tij dhe përmendi një raport të paspecifikuar, të pabazuar në fakte se zyrtarët kishin humbur disa dokumente që lidheshin me ish-këshilltarin e tij.

Vendimi i sotëm gjithashtu hap derën për falje të mundshme të ish-këshilltarëve të tjerë të Trump që u paditën si pjesë e hetimit për Rusinë, përfshirë ish-kreun e fushatës së tij, Manafort.

Donald Trump pritet të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, kur frenat e pushtetit t’i kalojnë Presidentit të zgjedhur Joe Biden.