Turqia arreston tre të dyshuar si pjesëtarë të ISIS-it

Autoritetet turke kanë ndaluar tre persona me dyshimin se i përkasin grupit militant ekstremist ISIS dhe se të njëjtit po planifikonin sulme në Turqi.


Arrestimet ndodhën dy ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se lideri i  ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi është vrarë gjatë një operacioni të forcave speciale amerikane në veri-perëndim të Sirisë.

Raportohet se tre të dyshuarit po planifikonin sulme në Stamboll, gjatë festimeve të Ditës Kombëtare të Turqisë, përcjell Reporteri.net.

Njësitë e policisë antiterror dhe të inteligjencës turke përcaktuan se të dyshuarit kishin qenë në kontakt me njerëz, që do të siguronin mbështetje logjistike për sulmin, njoftoi agjencia Anadolu.

Ende nuk është e qartë nëse sulmi i planifikuar ishte i ndërlidhur me vrasjen e udhëheqësit të IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi.

Turqia ka thënë se ka ndarë informacione me Shtetet e Bashkuara, aleatin e saj të NATO-s, përpara sulmit në veri të Sirisë dhe se është krenare që ka ndihmuar në sjelljen e “një terroristi famëkeq para drejtësisë”./Reporteri.net/