×
  • Lajme
  • Botë

    Turqia siguron sistemin rus “S-400”

    Reporteri
    12 Korrik 2019 | 16:47

    Autoritetet në Ankara po përgatiten për sanksione pas njoftimit se kanë siguruar nga Rusia një pjesë të sistemit të avancuar antiraketor “S-400”. Blerja e sistemit është kundërshtuar fort nga Shtetet e Bashkuara, të cilat druhen për sigurinë e flotës së NATO-s dhe asaj amerikane në raste kundërsulmi.


    Turqia ka marrë në dorëzim sistemin antiraketor rus pavarësisht paralajmërimeve amerikane se do të përballet me sanksione të gjithanshme.

    Ministria e Mbrojtjes në Ankara njoftoi se pjesët e para të armës kundërajrore “S-400”, një nga më të avancuarat në botë, mbërritën ditën e premte në bazën ajrore “Murted” afër kryeqytetit.

    “Dorëzimi i pjesëve të mbetura do të vijojë në ditët e ardhshme sipas kontratës. Sapo sistemi të jetë instaluar plotësisht, do të jetë i gatshëm të përdoret në mënyrën që e përcaktojnë autoritetet përkatëse.”

    Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Ankaraja të pezullojë tratativat me Rusinë të nisura dy vite më parë.

    Uashingtoni e konsideron mbrojtjen antiajrore ruse të papajtueshme me sistemet e NATO-s dhe druhet se në rast konflikti, sistemi i sofistikuar me rreze të gjatë veprimi është i aftë të sulmojë aeroplanët amerikanë gjuajtës-bombardues të tipit “F-35”.

    Muajin e kaluar, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan apeloi kundër sanksioneve nga pala amerikane.

    Ai tha se humbja e një aleati dhe partneri strategjik si Turqia në rajon nuk do të ishte e lehtë për SHBA-në.

    Ligji amerikan për sanksionet i vitit 2017 parashikon penalitete të natyrave të ndryshme ndaj kujtdo shteti që fut në territorin e vet armatime të rëndësisë së veçantë me prejardhje nga Rusia.

    Më herët, administrata amerikane kishte negociuar që Turqia të blinte sistemin e saj antiraketor të tipit “Patriot”, por palët nuk gjetën mirëkuptim për arsye financiare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!