×
  • Lajme
  • Botë

    Turqia tërhiqet nga Konventa që i mbron gratë

    Reporteri
    20 Mars 2021 | 11:59

    Turqia është tërhequr nga traktati historik evropian i cili mbron gratë nga dhuna, i nënshkruar pikërisht nga Turqia për herë të parë para 10 vjetësh dhe që mban emrin e qytetit të saj më të madh.


    Dekreti i presidentit Reccep Tayyip Erdogan është goditje për mbrojtësit e të drejtave të grave, të cilët thonë se marrëveshja është thelbësore për të luftuar dhunën në familje.

    Sekretaresha e Përgjithshme Këshillit Evropian, Marije Pejçinoviq Buriq e ka quajtur vendimin “shkatërrues”, shkruan AP.

    “Ky veprim është një pengesë e madhe për përpjekjet në mbrojtjen e grave dhe aq më shumë e mjerueshme sepse komprometon mbrojtjen e grave në Turqi, gjithë Evropën dhe më tej”, ka thënë ajo.

    Konventa e Stambollit thotë se burrat dhe gratë kanë të drejta të barabarta dhe obligon autoritetet shtetërore të marrin hapa për të parandaluar dhunën me bazë gjinore ndaj grave, mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të kryesve të krimit.

    Disa zyrtarë të partisë së Erdoganit kanë mbështetur rishikimin e marrëveshjes, duke argumentuar se inkurajon divorcin dhe se shkatërron familjen tradicionale, të cilat ata kanë thënë se janë në kundërshtim me vlerat konservatore të shtetit. Kritikët gjithashtu pretendojnë se traktati promovon homoseksualitetin përmes përdorimit të kategorive (LGBT), si gjinia, orientimi seksual dhe identiteti gjinor, transmeton Koha. Ata e kanë parë si kërcënim për familjet turke. Gjuha e urrejtjes ka qenë në rritje në Turqi, përfshirë ministrin e Brendshëm i cili kishte shkruar se njerëzit gej ishin “perversë”.

    Grupet e grave dhe aleatët të cilët kanë protestuar për ta mbajtur Konventën të pacënuar, menjëherë kanë bërë thirrje për demonstrata në gjithë vendin të shtunën, nën sloganin “Tërhiqeni vendimin, zbatoni Traktatin”.

    Dhuna ndaj grave dhe vrasja e tyre është në rritje në Turqi, sipas grupeve për të drejtat.

    77 gra janë vrarë që nga fillimi i vitit, sipas platformës We Will Stop Femicide. Të paktën 409 gra janë vrarë në 2020-n, sipas të njëjtit grup.

    Ministrja e Punës, Familjes dhe Shërbimeve Shoqërore e Turqisë ka shkruar se të drejtat e grave ende janë nën mbrojtjen e ligjeve turke dhe se sistemi i drejtësisë është “dinamik dhe mjaftueshëm i fuqishëm”.

    Konventa e Stambollit e vitit 2011, e nënshkruar nga 45 vende dhe Bashkimi Evropian, kërkon që qeveritë të miratojnë legjislacionin që ndjek penalisht dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave.

    Turqia ka qenë shteti i parë që e ka nënshkruar “Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunën në familje”, në një komitet ministrash të cilët u takuan në Stamboll në 2011-n. Ligji hyri në fuqi në vitin 2014 dhe kushtetuta e Turqisë thotë se marrëveshjen ndërkombëtare kanë fuqinë e ligjit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!