×
  • Lajme
  • Botë

    Virusi misterioz kinez: Nis si grip i zakonshëm, por kjo është ajo çka saktësisht i bën trupit tuaj

    Reporteri
    28 Janar 2020 | 13:33

    Virusi i ri vdekjeprurës që ka origjinën në Kinë tashmë ka marrë jetën e 106 njerëzve duke infektuar rreth 4500 të tillë. Fillimisht nis me simptoma të ngjashme me gripin, por në raste me ekstreme mund të shkatërrojë mushkëritë.


    Koronavirusi po përhapet me shpejtësi të jashtëzakonshme. Nga një treg në Wuhan, Kinë, tani në nivel global janë rreth 4500 raste të infektimit me këtë virus, përfshirë vende si Hong Kongu, Koreja e Jugut, Filipinet, Singapori, Tajlanda, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, transmeton Reporteri.net.

    Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) në një raport të publikuar të hënën tha se 278 raste janë regjistruar  vetëm në Kinë, me një përqendrim të lartë në Provincën Hubei, ku ndodhet qyteti Wuhan.

    Ministria e Shëndetësisë së Kinës ka konfirmuar se virusi mund të transmetohet nga një njeri tek tjetri, dhe mund të përhapet edhe më shpejt këtë javë, pasi Kina feston Vitin e Ri dhe shumë njerëz udhëtojnë atje.

    Ajo çka dimë deri më tani është se simptomat përfshijnë kollitjen, ethe  dhe vështirësi në frymëmarrje … por çfarë saktësisht i bën trupit?

    Këtë e tregon për vice.com Specialisti i  Sëmundjeve Infektive, Mark C. Peralta.

    Ai thotë se  Novela Coronavirus (nCoV) është një lloj i ri i koronavirusit i cili është i ndryshëm nga Sindroma e Rëndë Respiratore Akute (Severe Acute Respiratory Syndrome SARS) dhe Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (Middle East Respiratory Syndrome MERS).  Ka material gjenetik të ndryshëm nga koronaviruset e tjera, që do të thotë se është një lloj i ri.

    Koronaviruset janë zoonotikë, që do të thotë që transmetimi mund të jetë midis kafshëve dhe njerëzve. Për shembull, SARS-CoV u transmetua nga macet te njerëzit, kurse në Arabinë Saudite në vitin 2012 u zbulua MERS-CoV nga devetë te njerëzit. Njihen disa koronaviruse të cilët po qarkullojnë në kafshë, por që akoma nuk kanë infektuar njerëzit.

    Cilat janë simptomat?

    Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.

    Cilat janë efektet në organet e brendshme?

    Virusi  prek kryesisht mushkëritë. Shkakton inflamacion të mushkërive (pneumoni), pengon frymëmarrjen dhe gjithashtu mund të udhëtojë përmes gjakut dhe të shkaktojë mosfunksionim të organeve të tjera

    Cili është më i keq për dikë që është infektuar me nCov?

    Mund të jetë cilido, nga pneumonia, deri te sindroma e rëndë frymëmarrjes akute, por situata më e keqe është vdekja. Po ashtu në periudhë afatgjate mund të çojë në shkatërrim të mushkërive.

    Si mund ta parandalojmë?

    Nëse keni udhëtuar për në Wuhan në 14 ditët para fillimit të simptomave, shkoni në spitalin më të afërt dhe vizitoni një mjek.

    Higjiena e mirë është mbrojtja kryesore kundër përhapjes dhe përvetësimit të sëmundjes, veçanërisht larjes së duarve, dhe mbulimit të gojës ose hundës kur kollitni dhe teshtitni.

    Për njerëzit me simptoma, izolimi i tyre dhe drejtimi për te mjeku apo spitali më i afërt është mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. /Reporteri.net.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!