Njihuni me shoferët më të këqij në Europë

Një sondazh i ri, i kryer në vendet europiane, zbulon se 79% e tyre kanë mendim negativ për shoferët e tjerë nëpër rrugët e qyteteve të tyre, por sigurisht, 97% mendojnë se vetë janë shoferë të mirë.

Studimi u realizua nga kompania Ipsos, me 12400 shtetas të vendeve europiane, në mars 2002, për llogari të “Vinci Autoroutes”, firmës që administron autostradat franceze.

42% e polakëve thanë se në vendin e tyre ngarja e makinës bëhet nën moton “secili për vete”. Të njëjtin perceptim për veten e kishin vetëm 7% e spanjollëve. Ndërkohë, 25% e britanikëve pretendojnë se kur janë në timon, dalin nga vetja.

Sondazhi del gjithashtu në përfundimin se paragjykimet për kombësitë e ndryshme, shpesh, dalin të vërteta. Vetëm 16% e italianëve thanë se bashkëkombësit e tyre janë të sjellshëm në timon, ndërsa 14% e francezëve pranojnë se janë të stresuar kur ngasin makinën. Ndërsa 68% e britanikëve thanë se bashkëkombësit e tyre janë të kujdesshëm teksa ngasin makinën.

Të pyetur për të gjykuar sjelljen e shoferëve nga shtete të tjera, gjërat ndryshojnë. Gjermanët thanë se vetëm 30% e shoferëve të shteteve të tjera ishin agresivë në timon. Më kritikët ishin spanjollët dhe britanikët, 70% e të cilëve thanë se shoferët e vendeve të tjera kishin probleme.

Sidoqoftë, vendin e parë për ankesa e mbajnë grekët, të cilët thonë se 91% e shoferëve europianë nuk e ngasin makinën si duhet.

Grekët gjithashtu renditen në vend të parë për përdorimin e telefonit në timon, pasi 77% e tyre pranuan se bëjnë telefonata teksa ngasin makinën, ndërsa 83% pranuan se përdorin telefonin për veprime të tjera. Në vend të fundit për këtë kategori, renditen spanjollët, 62% e të cilëve pranojnë se përdorin telefonin në timon.

Grekët gjithashtu u renditën të parët për ngarje të makinës në mënyrë të rrezikshme. 30% e tyre pranojnë se i japin makinës me shpejtësi, kalojnë semaforin me të kuqe, nuk ngadalësojnë kur ka punime në rrugë dhe nuk mbajnë distancë sigurie mes makinave.

Sondazhi u publikua në prag të pikut të sezonit turistik në Greqi, ku pushues nga e gjithë Europa dhe bota mblidhen në rrugët – shpesh të ngushta – të ishujve dhe qyteteve bregdetare greke./A2CNN