Për herë të parë, në Ushtrinë e Zvicrës, gratë do të lejohen të veshin të brendshme

Zvicra pritet t’ua lejojë ushtareve të bartin të brendshme për gratë për herë të parë, si përpjekje për të zgjeruar rekrutimin.


Nën sistemin aktual, uniforma standarde që u kërkohet rekrutëve në ushtri përfshin vetëm të brendshmet e meshkujve.

Testimi, që do të nisë muajin e ardhshëm, do t’ua mundësojë grave të veshin të brendshmet siç duan ato.

Gratë zënë vetëm 1 për qind të forcave ushtarake në Zvicër, por shteti synon ta rrisë këtë në 10 për qind, deri në vitin 2030.

Marianne Binder, pjesëtare e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, ka thënë se ofrimi për veshjen e të brendshmeve siç i duan ato, mund t’ua nxisë kureshtjen për t’iu bashkuar ushtrisë.

“Veshja është e dizajnuar për meshkujt, por nëse ushtria dëshiron të jetë më femërore, duhet të merren masa më të përshtatshme”, ka thënë ajo.

Gratë, deri tash, vazhdimisht ishin ankuar se s’po u përshtaten veshjet e meshkujve, që për shkak të mospërshtatjes së madhësisë dinë të jenë të parehatshme.

Kaj-Gunnar Sievert, zëdhënës i ushtrisë, ka thënë për uebfaqen zvicerane “Watson” se uniforma e re për rekrutet parasheh “të brendshme të shkurtra” për verë dhe “të gjata” për dimër.

Uniformat ushtarake aktuale të ushtrisë në Zvicër ishin prezantuar në mes të viteve të ’80-a.