×
Fokus

Lansohet Programi për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

Reporteri
10 Nëntor 2023 | 15:48

Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, kanë publikuar Programin për Zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

Nga të pranishmit u tha se qëllimi i programit është fuqizimi i kapaciteteve të profesionistëve për mbrojtjen e fëmijës në nivel komunal dhe qendror për të zbatuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të qëndrueshme.

Madje u tha se modulet dhe përmbajtja, janë një aset edukativ i munguar në fushën e mbrojtjes së fëmijës, veçanërisht në lidhje me Ligjin e Mbrojtjen e Fëmijës, që është i pari i këtij lloji në Kosovë, dhe i cili sjell shumë risi, dhe aspekte që kërkojnë vëmendjen e shtuar dhe koordinimin institucional për zbatimin e tij në praktikë.

Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, tha se Programi është një dokument tepër i rëndësishëm, duke shtuar se Ligji për Mbrojtjen e të Drejtave të fëmijëve është punë e përbashkët e institucioneve dhe shoqërisë civile.

Ai tha se fokusi ka qenë kompletimi i kornizës ligjore, duke shtuar se Zyra e Kryeministrit do të vahzdojë me fushat në mënyrë që të respektohen të drejtat e fëmijëve.

“Është një dokument tepër i rëndësishëm, është një punë e përbashkët institucioneve e shoqërisë civile dhe që korrespondon direkt me një nga komponentët më të rëndësishme në zbatimin e ligjit.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka hyrë në fuqi në vitin 2019 që nga koha që ka hyrë në fuqi institucionet tona në nivel qendror dhe lokal janë mobilizuar”.

“Fokusi jonë kryesor ka qenë në kompletimin e kornizës ligjore për mbrojtjen e fëmijës. Kompletimi i kornizës ligjore ka të bëjë me aktet nën ligjore, është një gamë shumë e madhe që buron nga Ligji për Mbrojtën e Fëmijës.

Deri më tani ka pas një progres të mirë, të dëshirueshme, raporton Ekonomia Online.

Deri më tani kemi krijuar progres në kompletimin e kësaj kornize ligjore sepse ideja ka qenë që të harmonizohen mes veti të mos bëjnë veprime të ngutshme”.

Deputetja e AAK-së, nëjherit anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriu, Albana Bytyqi, ka kërkuar zbatimin e Ligjit në praktikë, duke ofruar edhe mbështetjen e tyre si deputetë.

“Ky ligj është i rëndësishëm si për ne si për të gjithë. Duhet të zbatohet sa më shumë në praktikë, pasi siç ka thënë Avokati i Popullit nuk po zbatohet sa duhet. Do të mundohemi që ky Ligj të jetë sa më efektiv dhe i pranueshëm dhe praktik në jetën e përditshme”.

Donjeta Kelmendi, drejtoresh ekzekutive e KOMF, tha se pandemia pamundësoi zbatimin e këtij ligji.

Ajo ka vlerësuar bashkëpunimin me Zyrën për Qeverisje të mirë në hartimin e Programit, i cili tha se do të jetë udhërrëfyes për të gjithë.

“Pandemia krijojë një shkëputje të këtij procesi dhe kjo duket të jetë arsyeja kryesore se nuk kishte filluar zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës”.

“Duke pasur parasysh këtë në një takim që kishim me Zyrën për Qeverisje të mirë me z.Habiti që kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm diskutuam për këtë çështje dhe vendosëm bashkërisht të mbajmë një seri të takimeve të punëtorive në Komuna rreth përmbajtës së Ligjit dhe Zyra për Qeverisje të mirë kishte planifikuar të hartonte një program me module për zbatimin e Ligjit dhe i gjetëm pikat e përbashkëta dhe vendosëm që bashkërisht të mbështesim këtë proces të rëndësishëm”.

“Vitin e kaluar janë mbajtur punëtorit takimet në të gjitha komunat e Kosovës me përfaqësuesit të institucioneve të arsimit, shërbimeve sociale, Policisë, Prokurorisë dhe themi se ka pasur një interesim të madh të jashtëzakonshëm kemi pasur mbi 400 profesionistë të cilët kanë marrë pjesë në këto takime dhe kjo tregon për vullnetin e ofrueseve të shërbimeve dhe institucioneve për të zbatuar ligjin për e mbrojtës së Fëmijës”.

Zhvillimi i programit të LMF mundësohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, mbështetet nga UNICEF në Kosovë në partneritet me USAID.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!