×
  • Show Time
  • Art/Kulturë

    Nga revolucioni në evolucion – FemArt për 10 ditë do të shfaqë aftësinë e grave artise

    Reporteri
    04 Prill 2022 | 10:06

    Evolucioni feminist vazhdon. Sivjet edhe më i gjerë e më i plotë. Artiste, aktiviste e feministe vendore dhe ndërkombëtare pikëtakohen sërish në Festivalin e parë feminist në Kosovë e më të madhin në rajon, FemArt.

    FemArt 10, njofton se për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor 2022, vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave artiste, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen.

    “Mblidhemi për të festuar një dekadë të njohjes e nderimit të guximit të grave artiste, fuqisë kreative, e angazhimit të tyre për barazi e drejtësi përmes shfaqjeve teatrore, performancave, baletit flamengo, vallëzimit bashkëkohorë, konferencave, ekspozitave e prezentimeve nga Kosova, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Italia e Franca”, thuhet në kumtesë.

    “Një dekadë guxim, krenari e dashuri. Për një dekadë kemi krijuar ngjarje, thyer barriera e ndërtuar ura të reja të paqes në vend, rajon e më gjerë. Jemi rebeluar për të këputur fijet e patriarkatit, e shkundur mendësinë e dëmshme të së vjetrës. Aktivizmi ynë artistik-feminist vjen si një përgjigje për t’u shëruar e kuptuar, për të krijuar e transformuar shoqërinë e jetën. Mbi të gjitha për të shkërmuar secilin nocion të normuar mbi pabarazinë. Ky angazhim ka frymuar falë dashurisë për artin, aktivizmin, jetën, ekzistencën, barazinë e drejtësinë”, thuhet tutje.

    Në këtë dhjetë vjetor, për dhjetë ditë, FemArt 10 bën thirrje t’i bashkoheni.

    “Ejani të festojmë e rebelohemi, argëtohemi e inspirojmë, performojmë e bëjmë thirrje për barazi, drejtësi, fuqizim e njohje të kontributit të grave, artisteve e aktivisteve deri në revolucionin e radhës”, përfundon thirrja e FemArt 10.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!