​Deputetët s’paraqiten me kohë në sallë, Konjufca: Ata që paguhen prej taksave të marrin pjesë në seancë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka ironizuar sërish me deputetët për shkak të qëndrimit të tyre jashtë sallës plenare. Vonesa në fillimin e seancës, pas përfundimit të pauzës bëri që kryeparlamentari të ftoi të zgjedhurit e popullit të marrin pjesë sepse paguhen prej taksave të qytetarëve.


Ndërkohë, mirënjohje iu dha deputetëve që ishin të pranishëm në sallë, por tha se është lajm i keq kur të përgjegjshmit janë pakicë.

“Të gjithë deputetët që paguhen prej taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës ftohen të marrin pjesë në seancën plenare. Një mirënjohje e veçantë për ju që jeni të përgjegjshëm. Lajm i keq është kur të përgjegjshmit janë pakicë”, tha ai.

Sipas tij, ky veprim nuk është sjellje e mirë, pasi ka mërgimtarë që kanë bërë mijëra kilometra për të përcjellë seancën në Kuvend.

“Nuk është sjellje e mirë kjo. Deputetët që janë këtu nuk janë në sallë, kurse mërgimtarët kanë bërë me mijëra kilometra për me ardh në Parlamentin e Kosovës me na përcjellë”, tha ai. /kp/