​S’ka kuorum për miratimin e raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas

Kuvendi i Kosovës nuk pati vota të mjaftueshme për ta miratuar raportin vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.


Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje, të zgjedhurit e popullit dështuan ta miratojnë këtë raport, pasi vetëm 46 deputetë votuan për, ani pse të pranishëm në sallë ishin mbi 61 deputetë dhe përkrahje në parim i dhanë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Megjithëse tha se grupi parlamentar i LVV-së e mbështet miratimin e raportit të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, deputeti i LVV-së Adnan Rrustemi tha se mos shtrirja e kësaj agjencie në tërë territorin e vendit është mangësi.

“Megjithëse i japim mbështetje rekomandimit për miratimin e raportit për ndihmë juridike falas, konsiderojmë se është e rëndësishëm të sjellim në vëmendje fushë veprimtarin e kësaj agjencie dhe rëndësinë që ka në ofrimin e ndihmës juridike falas për shtetasit që nuk kanë mjete financiare për angazhimin e avokatëve. Natyrisht se agjencia është përballur me sfida të ndryshime, por duke pasur justifikim për sfidat nuk mund të justifikohet mos zgjerimi i kapaciteteve dhe mos modernizimi i shërbimeve për të ofruar shërbimet”

Përkrahje miratimit të këtij raporti i dha edhe grupi parlamentar i PDK-së, deputeti Hajdar Beqa tha se ekzekutivi duhet ta mbështet më shumë financiarisht këtë agjenci.

“Është një raport i saktë, megjithatë duhet të ketë parasysh se misioni i saj i mundëson gjithë qytetarëve të kenë qasjen në drejtësi dhe mbrojtje për ata që s’kanë mjete të mjaftueshme”, tha ai.

Me pajtim të grupeve parlamentare seanca përfundoi punimet për sot për të vazhduar me pikat e mbetura në ditët në vijim./KP