×
  • Lajme
  • Lajme

    10 ditë afat, a do ta dëgjojë Kurti kërkesën e Perëndimit për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targa?

    Reporteri
    22 Tetor 2022 | 14:21

    Kryeministrit Kurti i kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë për të vendosur nëse do të dëgjojë kërkesën e Perëndimit për të shtyrë zbatimin e implementimit të vendimit për targat e automjeteve.

    Vendimi që ishte marrë në mbledhjen e 29 qershorit të këtij viti dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht, për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës, u shty për një muaj, dhe tani po kërkohet sërish të shtyhet zbatimi i tij, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kërkesa e Escobar dhe QUINT-it

    I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë qëndrimit në Prishtinë gjatë kësaj jave dhe takimeve që kishte me krerët e shtetit, ka thënë se afati i caktuar nga Qeveria e Kosovës për regjistimin e automjeteve me targa RKS duhet të shtyhet për dhjetë muaj dhe se do të ishte mirë që përgjigja e Qeveria e Kosovës ishte pozitive.

    Por Esocbar tha se për këtë kërkesë nuk ka marrë zotim nga Kurti e Osmani.

    Escobar ka thënë se këtë kërkesë për shtyrje e kanë bërë të gjitha vendet e Quintit – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

    “Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-ve, por e gjithë QUINTIT. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, tha Escobar të mërkurën.

    Ishte fillimisht ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili javë më parë tha nuk e konsideron si afat të arsyeshëm 31 tetorin.

    Rohde tha se vendimi i Kosovës për këtë çështje është legjitim, por ai ka theksuar nevojën që afati kohor prej dy muajsh të shtyhet edhe më tej meqë në pikëpamjen e tij është jashtëzakonisht i shkurtër.

    “Duhet të ketë një periudhë të arsyeshme kohore për tranzicion dhe mendoj se dy muaj janë kohë e shkurtër. Po ju jap një shembull nga shteti im. Mua më duhet të ndryshoj lejen e vozitjes dhe kam pasë katër vjet kohë, por ende nuk e kam ndryshuar dhe e di se duhet ta bëj së shpejti. Nuk duhet të ketë një periudhë kaq të gjatë, por duhet të keni periudha tranzicionale administrative, në linjë me standardet europiane dhe do të thosha se dy muaj janë pak”, ka thënë Rohde disa ditë më parë.

    Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka konfirmuar se BE kërkon nga institucionet kosovare, që për 10 muaj të shtyjnë afatin për regjistrimin e automjeteve me targa serbe.

    Sipas BE-së është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani, të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët atje, dhe në përputhje me praktikat evropiane.

    “Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për ri-regjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj”, ka pohuar Stano gjatë ditës së djeshme.

    Qeveria nuk jep sinjale se do të tërhiqet nga zbatimi i vendimit

    Kryeministri Kurti nuk ka dhënë sinjale se do të ketë shtyrje të afatit për targat.

    Gjatë takimit që Kurti kishte dje me ambasadorët e shteteve të QUINT’it, vendimi për targa ka qenë pikërisht pjesë e diskutimit.

    Në një komunikatë nga Qeveria pas takimi u tha se  kryeministri ka thënë ambasadorëve të QUINT-it se “vendimi s’është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës”.

    Përgjigje të prerë rreth kërkesës së Perëndimit për shtyerjen e afatit për zëvendësimin e targave për qytetarët e Veriut nuk ka dhënë as presidentja Osmani.

    E pyetur nga gazetarët, Osmani nuk dha një përgjigje të prerë nëse e mbështet ose jo kërkesën këtë kërkesë, por tha se kjo do të nënkuptohej si tolerim ndaj kërcënimeve të bandave kriminale në raport me serbët lokalë të cilët i kanë ndërruar targat.

    “Ajo që e kam thënë në takim me Escobar është se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit. Mbi 90 përqind e serbëve i kanë targat në RKS, ata e respektojmë ligjin dhe parimin e barazisë. Por, ekziston një grup i vogël i serbëve që akoma nuk e ka bërë këtë ndryshim, për arsyen e vetme sepse kërcënohen nga bandat kriminale që paguhen nga Aleksandër Vuçiq. Dhe tani shtyrja e vazhdueshme në njëfarë mënyre nënkupton që po tolerohen këto kërcënime të bandave kriminale në raport me serbët lokalë. Prandaj, kjo mbi të gjitha është çështje e sundimit të ligjit, nuk është assesi kundër serbëve. Është një çështje që ka të bëjë me mbrojtjen e tyre nga këto banda kriminale”, deklaroi Osmani në një konferencë për media.

    Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe çka ndodhi më 31 korrrik

    Vendimi i Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje, por edhe ai riregjistirmin e targave rritën tensionet në pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, me serbët lokalë që bllokuan rrugët.

    Kosova, më një gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës.

    Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria e Kosovës shtyu vendimin për 1 shtator.

    Kjo me kërkesë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili e ka kërkuar shtyrjen e implementimit të reciprocitetit të targave dhe të dokumenteve hyrëse-dalëse për 30 ditë.

    Hovenier kishte thënë se vendimi për reciprocitetin për letërnjofime dhe targa është plotësisht i përshtatshëm dhe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, porse ka kërkuar shtyrjen për 30 ditë, pasi sipas tij ka pasur dezinformata e keqkuptime ndaj vendimeve.

    Kjo bëri që Kosova të shtynte për një muaj zbatimin e vendimeve, por në ndërkohë Prishtina dhe Beogradi u pajtuan që të heqin krejtësisht dokumentin për hyrje/dalje, ndërkaq vendimi për targat nisi së zbatuari më 1 shtator.

    Kosova dhe Serbia duhej të arrinin një zgjidhje afatgjatë për targat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, por kjo nuk ndodhi për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve.

    Në anën tjetër, Serbia ka kundërshtuar ultimatumin e Qeverisë së Kosovës për tagrat, duke i mbështetur serbët e veriut që të mbajnë targat ilegale. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!