×
  • Lajme
  • Lajme / Pajisja e dyshimtë

    12 vite pasi ia publikoi aferën “Pronto”, Adem Grabovci i del në mbrojtje gazetarit Vehbi Kajtazi

    Reporteri
    31 Tetor 2024 | 20:09

    Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, i cili i kryeprotagonist i aferës “Pronto” që u publikua nga gazetari Vehbi Kajtazi 12 vite më parë, sot i ka dalë në mbrojtje.

    Reagimi i Grabovcit vjen pasi sot në veturën e gazetarit Kajtazi u gjet një pajisje gjurmuese, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Ndaj shqetësimin me zhvillimet që po ndodhin kohëve të fundit rreth disa gazetarëve, me theks të veçantë rastin e sotëm, me pajisjen e dyshuar përgjuese që u gjend në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi. E dini mirë, se edhe në të kaluarën këta gazetar kanë bërë punë investigative, sipas vlerësimit dhe përcaktimit të tyre. Në ketë drejtim, unë kam qenë ndër të atakuarit në vazhdimësi, në shumë mënyra e rrethana, pikërisht nga shkrimet e publikimet e ndryshme të gazetarëve. Por, asnjëherë, në asnjë rrethanë, nuk kam tentuar për t’i pënguar në punën e tyre, pavarësisht se shumë herë thuhej e thurej edhe përtej të së vërtetës. Pra, edhe më pak se gjysmë e vërteta, ka shkruar Kajtazi.

    Ai tha se këto janë veprime të dëmshme për shtetin.

    “Edhe ne, dikur e kishim pushtetin, por i bënim thirrje drejtësisë të na hetojë deri në fund, me të gjitha kapacitetet, duke besuar fuqishëm në drejtësi. Ne kemi ditur edhe të ofrojmë dorëheqje, për të mos i penguar organet e drejtësisë, derisa i kryenin punët e tyre ligjore. Ajo çfarë po shohim sot, është e dëmshme për vendin. Pushteti i katërt (gazetaria), duhet respektuar e çmuar! Gazetaria është vlerë e shoqërisë.”, ka shkruar Grabovci.

    Pos, vitit 2012, Adem Grabovci u bë kryeprotagonist i një afere tjetër e njohur si “Dosja e Shefave”. Nga publikimet e Kajtazit Adem Grabovci u përball me drejtësinë.

    Adem Grabovci akuzohej nga Prokuroria Speciale se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kishte komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë të bordit të drejtorëve në ndërmarrjet publike, ‘’Train-Kos’’, ‘’Infra-Kos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

    Grabovci dhe 10 të akuzuarit e tjerë u akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

    Të akuzuarit u liruan nga akuza./Reporteri.net/

    Shpallen të pafajshëm Adem Grabovci dhe të gjithë të akuzuarit në rastin “Pronto”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!