×
  • Lajme
  • Lajme

    14 vjet nga vdekja e Presidentit

    Reporteri
    19 Janar 2020 | 17:08

    Edhe dy ditë, saktësisht më 21 janar bëhen 14 vjet kur, presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë, pasi për disa muaj vuante nga kanceri në mushkëri, sëmundje të cilën vet e bëri publike gjatë një konference për gazetar.


    Më 23 janar 2006 funerali me trupin e Presidentit Rugova u vendos në hollin e Kuvendit të Kosovës ku qytetarët për tri ditë rresht kishin mundësinë të bënin homazhe dhe t’i jepnin nderimin e fundit Presidentit. Kurse varrimi i tij u bë të enjten më 26 janar 2006.

    Në varrimin e Presidentit morën pjesë shumë delegacione zyrtare nga e tërë bota.

    Ceremonia mortore u zhvillua në sallën 1 tetori në Prishtinë. Pastaj arkivoli u bart nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës tek varrezat e dëshmorëve në lagjen “Velania” ku Ibrahim Rugovës i’u bënë nderimet e fundit dhe aty gjeti vendin e përjetshëm, shkruan Reporteri.net.

    Shumë nga ato personalitete që e njohën: Bill Klinton, Toni Bler, Riçard Hollburk etj. dhanë deklarata fascinuese për personalitetin e tij. Ata nuk e fshihnin se Kosova e rajoni po humbte një njeri të rëndësishëm.

    Funerali i varrimit të ish-presidentit Rugova ishte njëri nga më të mëdhenjtë të historisë shqiptare, ku morën pjesë me mijëra njerëz edhe përkundër temperaturave jashtëzakonisht të ulëta që mbretëronin në atë vit, ku radhët e gjata me njerëz mbuluan rrugët e kryeqytetit.

    Mediat më të rëndësishme botërore i kushtuan vend të posaçëm varrimit të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Ato potencojnë pjesëmarrjen në ceremoninë mortore të personaliteteve të rëndësishme ndërkombëtare dhe rolin e madh që kishte Presidenti Rugova në politikën dhe historinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    LDK-në e la të bashkuar, por “karriget” thyen partinë e Rugovës

    Me vdekjen e Rugovës jo veç Kosova, por edhe partia e tij humbi shumë, pra duhej ta vazhdonte rrugën pa liderin e saj.

    Pasardhës i Rugovës u zgjodh Fatmir Sejdiu. Por me të nuk u pajtuan disa zyrtarë të LDK-së që preferonin Nexhat Dacin, çka bëri që në Kuvendin e VI-të të kësaj partie të ketë përleshje fizike, ku zyrtarët e saj u gjuajtën me karrige.

    Sejdiu arrti veç këtë mandat të drejtoi partinë, pra deri më 2010, dhe nga ky vit drejtimin e mori Isa Mustafa, i cili vazhdon të jetë kryetar.

    As Sejdiu, e as Mustafa nuk u treguan të suksesshëm sepse kjo parti nuk arriti më kurrë të dalë e para në zgjedhje (as në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit, ku doli e dyta), për dallim nga koha e Rugovës kur kjo parti dilte e para bindshëm, shkruan Reporteri.net.

    Përkundër se nuk arriti ta rikthej LDK-në si lidere, Mustafa megjithatë arriti më 2014-tën të bëhet kryeministër pas arritjes së koalicionit qeverisës me PDK-në.

    Duhet theksuar se vajza e Rugovës, Teuta Rugova arriti të bëhej deputete për një mandate, por në zgjedhjet e fundit nuk ishte në listen e LDK-së.

    LDK aktualisht është duke synuar të lidh koalicion qeverisës me VV-në e Albin Kurtit por përkundër se kreu i saj Mustafa ka zhvilluar disa takime, ata nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për bashkëqeverisje.

    Edhe këtë 21 janar, si edhe çdo vit tjetër nga 2006-ta, krerët e LDK-së, pritet të shkojnë për homazhe te varri i Rugovës, ashtu si edhe zyrtarë të partive tjera, por jo vetëm.

    Dr. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!