×
  • Lajme
  • Lajme

    35 gra dhe fëmijë kosovarë largohen nga Siria, gjenden në kufi të Turqisë

    Reporteri
    21 Tetor 2019 | 21:51

    Ka arritur në 35 numri i grave dhe fëmijëve nga Kosova që janë larguar nga kampet dhe burgjet e Sirisë, drejt qytetit Qamishli në kufi me Turqinë.


    Ata po presin riatdhesimin në vendlindje duke tentuar kalimin e kufirit për të dalë në Turqi.

    Por, drejtori i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Kosovë, Bedri Elezi, i cili ndihmon në riatdhesimin e tyre nga zonat e konfliktit, tregon se në kampet më të mëdha të Sirisë, larg kufirit me Turqinë, dyshohet se gjenden edhe rreth 37 gra e fëmijë të tjerë.

    Reporteri.net para 5 ditësh raportoi se rreth 25 gra dhe fëmijë shqiptarë, familjarë të pjesëtarëve të ISIS, janë arratisur nga kampet e siriane ku po mbaheshin prej muajsh, pasi që Turqia dërgoi trupat ushtarake në Siri, çka kishte siguruar edhe video ekskluzive.

    Në mesin e të arratisurve nga kampet siriane Reporteri nga burimet kishte mësuar se ishin edhe 5 luftëtarë shqiptarë të ISIS-it.

    Por, çfarë po bëjnë institucionet e Kosovës për riatdhesimin e tyre?

    Derisa Ministria e Punëve të Jashtme nuk i është përgjigjur kësaj pyetje, ministri i Punëve të Brendshme thotë se qytetarët janë të sigurt atje dhe në kontakt me palën amerikane po presin kryerjen e këtij operacioni.

    Por, funksionin e palës amerikane e vë në pikëpyetje Elezi, që pas tërheqjes së trupave ushtarake me kërkesë të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

    Elezi tregon se mundësitë më të mëdha për kthimin e tyre ekzistojnë përmes shtetit turk apo edhe autoriteteve kurde.

    Në mesnatën e 19 prillit Kosova u bë ndër vendet e para që ktheu shtetasit e vetë nga lufta e ISIS-it, operacion i kryer me përkrahjen e SHBA-ve.

    Me këtë rast u paralajmërua edhe kthimi i mbi 80 të tjerëve që mbetën në Siri.

    Top Channel raportoi ditë më parë për historinë e një vajze nga Kosova, motra e së cilës ka mbetur ende në Siri.

    E gjatë shtatë vjetëve të fundit besohet se më shumë se 400 qytetarë i janë bashkuar luftës së Shtetit Islamik./tch/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!