×
  • Lajme
  • Lajme

    4 ditë pasi eci në këmbë për në punë, Avdullah Hoti u sulmua me vezë

    Reporteri
    22 Shkurt 2020 | 21:22

    Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, mëngjesin e së martës u pa duke shkuar në vendin e tij të punës, në këmbë, krejtësisht i vetëm dhe pa mbrojtje institucionale.


    Hoti, që duket se nuk ka pranuar mbrojtje të afërt apo veturë zyrtare për të shkuar në punë, pavarësisht se një gjë e tillë i lejohet plotësisht, gjatë ditës së sotme në afërsi të ndërtesës së Qeverisë u bë cak i një sulmi me vezë, shkruan Reporteri.net.

    Hoti që sot ishte po ashtu në këmbë së bashku me dy persona të tjerë, u sulmua me vezë për shkak të taksës, temë kjo për të cilën Qeveria e re pritet të marrë vendim gjatë ditëve në vijim.

    Nuk dihet nëse Hoti edhe sot kishte qenë në punë, pasi Qeveria e re ka premtuar se do të punojnë pa pushim edhe gjatë vikendeve derisa siç kanë thënë ata gjërat të vihen në rend.

    Ndërkohë, për këtë sulm ka pasur reagime të shumta në vend, ku gishti është drejtuar kryesisht kah opozita, kryesisht kah Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pasi që vetëm dy ditë më parë Ramush Haradinaj kishte paralajmëruar për aksione të tilla në rast të heqjes së takës.

    Për sulmin ndaj tij ka reaguar edhe vetë Hoti, i cili ka thënë se ata që e kanë sulmuar sot tentojnë të mbajnë Kosovën të izoluar.

    “Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka thënë Hoti.
    Sulmin ndaj tij e kanë dënuar edhe kryeministri dhe presidenti i vendit, ndërkohë Policia dhe Prokuroria janë vënë në kërkim të autorëve.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi i ka thënë Reporterit se tashmë kanë nisur hetimet dhe se rasti po cilësohet si “sulm”. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!