×
  • Lajme
  • Lajme

    49 raste të përdhunimeve dhe 64 raste të abuzimeve të tjera seksuale për nëntë muaj në Kosovë

    Reporteri
    24 Tetor 2022 | 23:44

    Në Kosovë sipas të dhënave nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, vetëm gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 49 raste të përdhunimeve dhe 64 raste të abuzimeve të tjera seksuale.

    Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, tha gjatë hapjes së javës për të drejtat e viktimave të krimit se kjo situatë ka bërë që zyra e tij të ndërmarrë masa shtesë për parandalimin dhe luftimin e këtij krimi, përshirë emërimin e prokurorëve bashkërendues për rastet e veprave penale kundër integritetit seksual.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se duhet më shumë punë për parandalimin dhe ndëshkimin e pakompromis të veprave penale kundër integritetit seksual. Ajo vuri theksin te sic tha, defektet në mekanizmat institucionalë përfshirë edhe mënyrën e interpretimit juridik të nocionit të veprës penale të përdhunimit. Në sistemin e drejtësisë, tha ajo, shpesh herë përdoren standarde të vjetërsuara në hetim, ndjekje dhe gjykim të këtyre veprave penale.

    “Një qasje e tillë nuk është mbrojtje e viktimave, një qasje e tillë është mbrojtje e kriminelëve. Edhe më keq, një qasje e tillë është inkurajim i kriminelëve, është inkurajim për të vazhduar dhunimet ndaj vajzave tona, djemëve tanë, ndaj fëmijëve të kësaj Republike. Kjo përveç se indinjon qytetarët tanë, ndikon thellë edhe në humbje të besimit të tyre në drejtësi”, tha presidentja Osmani.

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se kjo javë duhet të shërbejë si nxitje për të ndërmarrë veprime që sigurojnë qasje të mirëfilltë të viktimave në drejtësi dhe shërbime sociale të nevojshme.

    “Kemi parë disa raste së fundmi të cilat e kanë vënë në pah rëndësinë e mbajtjes përgjegjës të kriminelëve për sulme seksuale dhe trafikim. Ne i shohim këto raste si një shenjë paralajmëruese për nevojën e një bashkëpunimi më të mirë e të ngushtë ndërmjet agjencive qeveritare për t’u siguruar që kryesit e këtyre veprave, kriminelët të mos jenë të lirë për të përsëritur krimet e tyre ndaj personave më të pambrojtur e të margjinalizuar të shoqërisë. Kur institucionet publikisht bartin fajin në departamente të tjera qeveritare ose kur forcat e rendit ose mediat publikojnë emrat dhe fotografitë e viktimave, kjo nuk i ndihmon viktimat”, tha ai.

    Sipas Prokurisë së Shtetit, gjatë vitit 2022 në Komisionin për Kompensim të Viktimave kanë paraqitur kërkesë 15 veta. Prej tyre, 12 kërkesa janë miratuar, dy janë në proces dhe një është refuzuar.

    Java e viktimave të krimit organizohet nga Prokuroria e Shtetit me mbështetjen e ambasadës amerikane, dhe ka për qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë se nuk ka drejtësi të plotë, pa vënie të drejtësisë në vend dhe rehabilitim të viktimave të krimit./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!