Një video-incizim ka zbuluar bashkëshortin e kryediplomates kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, përfshirjen në një skandal të madh të manipulimit të votave.
Përgjimi ekskluziv, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, nxjerr në pah dëshminë e komisionerit Krasniqi që thotë se është paguar nga Dardan Stublla. Thotë se paratë i kishte pranuar me një qëllim të vetëm: manipulimin e votave në favor të kryediplomates në largim.
Pasi i prezantohet me identitet të rremë personit të dëmtuar nga manipulimi i votave, Arbër Krasniqi thotë se edhe komisionerët e tjerë i binden atij. Pranon se ka manipuluar qindra vota në favor të Haradinaj-Stubllës në këmbim të 6,000.00 eurove që i kishte premtuar bashkëshorti i saj.
Derisa Insajderi ka siguruar edhe në cilat vend votime janë vjedhur se nga sa vota.
“Puna është që unë me ta u pata marrë vesh për 600 vota, 6,000 euro. Unë aty jam vet i treti. Unë si numërues aty, edhe nja dy i kena mrena aty. IT janë ata, me kompjuter në sistem”, dëshmon Arbër Krasniqi, i prezantuar si Arigon Beka, 24-vjeç, nga Podujeva.
Krasniqi, megjithatë rrëfen se Stublla s’i doli “njeri i fjalës”.
Para se të konfirmojë se është takuar me bashkëshortin e Haradinaj-Stubllës në një restorant afër selisë së AAK-së në Prishtinë, thotë se Dardan Stublla i ka borxh 2,000.00 euro.
“Këta u patën marr vesh qysh të kallëzova, 600 vota – 6,000 euro. 4,000 mijë i kanë jep, 2,000 janë mbet borxh. Kanë bo fjalë për qito 2,000 në fund”, shpreh shqetësimin komisioneri Krasniqi.