×
  • Lajme
  • Lajme

    A do të anëtarësohet Kosova në INTERPOL këtë vit?

    Reporteri
    14 Korrik 2019 | 13:00

    Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it ka vendosur të dërgojë dosjen e Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që sivjet do të mbahet në Kili. Njohësit e sigurisë dhe çështjeve politike në vend, nuk po shohin shumë shpresë që Kosova do të arrijë sivjet anëtarësimin në organizatën ndërkombëtare më të madhe të policisë, meqë sipas tyre nuk është punuar mjaftueshëm në këtë drejtim.


    Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ditë më parë tha se Policia e Kosovës u cilësua në nivelin më të parë të profesionalizmit dhe kredibilitetit, si organizatë policore moderne dhe me standarde të avancuara.

    Pacolli njoftoi se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it në Francë, ka debatuar rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës, dhe ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it.

    “Përbërja e Komitetit Ekzekutiv për vitin 2019 nga gjithsej 10 shtete pjesëmarrëse, në debatin e sotëm, ishin vetëm tri shtete të cilat e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë dhe pothuajse të gjithë pjesëmarrësit argumentuan në favor të aplikacionit të Policisë së Kosovës për të proceduar më tutje në Asamblenë e Përgjithshme. Prandaj, urojmë që edhe Serbia të i thërret zërit të arsyes dhe të mos veproj me obstruksionet e saj kundër paqes dhe sigurisë. Do të ishte primitive dhe jashtë çdo logjike, pengimi dhe lobimi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në organizatën ndërkombëtare të Interpolit, dhe në anën tjetër të flasësh për paqe dhe siguri”, ka shkruar Pacolli.

    Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani shpreson që përpjekja e shtetit të Kosovës, edhe njëherë, për anëtarësim në INTERPOL, mos të ketë qenë edhe një hap tjetër jo i koordinuar mirë.

    Sipas saj, çakordimi në fushën e politikës së jashtme mund të rezultojë me një dizastër total për imazhin e Kosovës në botë, dhe procesi ne shtet-ndërtimit.

    Osmani: Duhet të mësohet nga gabimet e së kaluarës, të shohim ku ka dëshmuar Kosova në aplikimin e kaluar

    “Nuk dihet sigurt ku qëndron Kosova me vota, duhet një punë shumë dimensionale që nuk nënkupton vetëm punën e Ministrisë së Jashtme por duhet të mësohet nga gabimet e së kaluarës, dhe Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme duhet të shohin ku kanë dështuar në aplikimin e kaluar që nuk arritën të bëjnë votat e nevojshme për anëtarësim. Një dështim i radhës për Kosovën do të ishte shumë i dëmshëm prandaj edhe Ministria e Punëve të Jashtme si mbikëqyrëse e këtij procesi dhe institucioneve të tjera që i përfshin në punën e lobimit për INTERPOL duhet të jetë shumë më aktive, që të ngris niveli ne bashkëpunimit me shtetet mike të cilat përmes demarsheve që mund t’i dërgojnë në shtetet anëtare të INTERPOL-it mund të ndihmojnë shumë”, thotë ajo.

    E sipas Nuredin Ibishit, njohës i sigurisë, vetëm lobimi i duhur mund të sjell rezultate.

    Ai thotë se nëse bëhet një strategji, një plan i veprimit dhe angazhohen kapacitetet e jashtme, Kosova mund të ia dalë.

    Por ai nuk po sheh lobim të duhur nga institucionet e Kosovës.

    “Realisht nuk kemi lobim të duhur, kjo po shkon shumë ngadalë. Vitin e kaluar u harxhuan 1 milionë euro, që nuk dihet se ku shkuan, dhe dështuam, mu për atë se nuk filluam mirëfilli, me shumë probleme të ndërrimit të ministrave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mandej një neglizhencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe realisht që këtë vit po shkon gati njëjtë”, thotë ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!