Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbledh të enjten liderët e partive, në kërkim të një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit. Ky process ka ngecur tash e një muaj. VV ka propozuar për Kryetare Kuvendi Albulena Haxhiun, emër që po kundërshtohet nga partitë tjera. Seanca e radhës do të vazhdojë po të enjten, në orën 10:00, shkruan Reporteri.net.
Ftesës së Presidentes Vjosa Osmani për takim konsultativ lidhur me ngërçin e krijuar sa i përket krijimit të institucioneve, tashmë i janë përgjigjur të gjitha partitë.
Presidenca ka konfirmuar se të gjithë liderët do të marrin pjesë në takim.
“Të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me Presidenten Osmani”, ka thënë ai.
E pas këtij takimi, ndaras nga shefat e partive shqiptare, e para e vendit i ka thirrur në takim të përbashkët edhe përfaqësuesit e partive minoritare.
Ndryshe, sot ka dështuar përpjekja e 15’të për konstituimin e Kuvendit.
Përpjekja e parë është bërë më 15 prill. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për Kryetare Kuvendi Albulena Haxhiun, emër që po kundërshtohet nga partitë tjera.
PDK dhe AAK i kanë kërkur disa herë VV’së që ta ndërrojë kandidaten, duke dhënë edhe emra që do të mund t’i votonin, por nga partia e parë s’kanë lëvizur.
LDK ndërkohë ka thënë se nuk e voton asnjë propozim të kësaj partie.
Për të dalë nga ngërçi i krijuar, një propozim është bërë javën e kaluar nga kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku. Ai ka propozuar krijimin e një qeverie të tranzicionit, deri në zgjedhjen e Presidentit.
Nga PDK dhe AAK deklaruan se do të pranonin të takoheshin në një takim për këtë çështje. Mirëpo, Haradinaj shtoi se nëse VV është pjesë e këtij takimi, kjo parti s’do të merrte pjesë, teksa Krasniqi tha se një takim i tillë do të duhej të thirrej nga Presidentja.
VV e ka kundërshtuar ashpër propozimin, madje eksponentë të saj janë lëshuar në sulme ndaj LDK’së.
Nevoja për krijim sa më të shpejtë të institucioneve është theksuar edhe në takimin e djeshëm që ka pasur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me ambasadorët e QUINT’it.
Në njoftimin e ZKM-së u tha se temë qendrore e takimit ka qenë procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, mirëpo ambasadorët deklaruan ndryshe./Reporteri.net