A e ka kaluar pragun NISMA? – Flasin nga partia e Fatmir Limajt

Media të caktuara mbrëmë raportuan se koalicioni Nisma-AKR-PD ka marrë votat e mjaftueshme për të kaluar pragun zgjedhor prej 5%.


Por, partia e Fatmir Limajt nuk ka dalë ende me ndonjë qëndrim zyrtar rreth asaj nëse do të bëhen pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.

Reporteri.net ka kontaktuar ish deputetë të kësaj partie për të pyetur rreth kësaj çështje.
Ish-deputeti Enver Hoti nuk ka dashur të jape një përgjigje rreth asaj nëse kanë kaluar apo jo pragun.

“Duhet ta presim informatat zyrtare prej KQZ-së, prej institucioneve kompetente”, ka thënë Hoti shkurt për Reporteri.net.

Ndërsa ish deputeti tjetër i kësaj partie, Zafir Berisha, beson se partia e tyre e ka kaluar pragun.

“Po nisma e ka kaluar pragun, por gabimi i bërë me qëllim apo pa qëllim që pritet të vërtetohet ka bërë që të ketë një zhurmë që gjoja Nisma nuk e ka kalaru pragun. Edhe pse është bërë rinumërimi në 16 kuti prap 4 kuti ku unë personalisht kam bë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa përsëri ato kuti nuk janë rinumëruar, çka Nisma dëmtohet për më shumë se 60 vota. Sipas llogarive tona Nisma është 5:06 % e jo 5:02 %”, ka deklaruar Berisha për Reporteri.net.

I pyetur se votat e diasporës a mund ta rrëzojnë sërish NISMA-n, Berisha e ka mohuar këtë.

“Përkundrazi presim votat e diasporës dhe votat me kushte të na nxjerrim mbi 5.06 %”, ka thënë Berisha.

Kujtojmë se zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se me qëllim të transparencës, pas çdo rinumërimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po publikon formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe të kandidatëve. /Reporteri.net/.