×
  • Lajme
  • Lajme

    A është ky neni në Ligjin për Policinë që e ‘shpëton’ Thaçin nga kallëzimi penal i Qeverisë?

    Reporteri
    30 Mars 2020 | 18:33

    Në të njëjtën ditë kur Qeveria e Kosovës mori masa për kufizim të lëvizjeve në qytet, Presidenti Hashim Thaçi tha se ai vendim ishte i paligjshëm dhe anti-kushtetues. U thirr në nenin 56 që fliste për cenimin e lirive qytetare, vetëm në rastet kur shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Ai atë ditë tha se “qytetarët dhe policia nuk kanë nevojë ta zbatojnë këtë vendim”.


    Një ditë më vonë e dërgoi vendimin në Kushtetuese, që ende nuk ka përgjigje, por ka një kundërpërgjigje nga Qeveria, shkruan Reporteri.net.

    Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla ka njoftuar se për këto deklarata e kanë çuar presidentin në gjykatë.

    “Sot, më 30 mars 2020, U.D. i MPBAP-së, z. Xhelal Sveçla, dorëzoi pranë Prokurorisë Themelore të Prishtinës Kallëzimin Penal të bërë kundër Presidentit Hashim Thaçi, në lidhje me deklarimet e tij të datës 23 mars – për të mos respektuar Vendimet e marra nga Qeveria në raport me masat mbrojtëse kundër virusit COVID-19.

    Më 23 mars 2020, Presidenti në konferencë për media doli me deklaratë ku bëri thirrje për mos-respektim të vendimit të Qeverisë.

    Deklarimi i tij verbatim është ky: “Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet kundër- kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. As Policia e Kosovës dhe as organet sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim kundër-kushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”.

    Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës parashihen gjithsej 30 nga kompetencat e Presidentit të vendit. As edhe njëra prej tyre nuk ka të bëjë me vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së vendimeve të Qeverisë. Kjo kompetencë u takon gjykatave.

    Presidenti përmes deklarimeve të tij dhe thirrjeve për mos-respektim të Vendimit të Qeverisë në datën 23 Mars 2020, përveç që ka shkaktuar paqartësi tek qytetarët, i njëjti gjithashtu ka mundur të ndikojë që përmes këtyre thirrjeve të shkaktojë kaos nëpër rrugë dhe të “kontribuojë” në shpërndarjen më të madhe të Virusit COVID-19, si rezultat i qytetarëve që nuk do të respektonin vendimin e Qeverisë – sipas rekomandimeve të Presidentit.

    Në lidhje me këtë, dhe marrë parasysh se ne jemi të dedikuar t’i respektojmë organet e drejtësisë dhe të krijojmë një shtet ku sistemet janë me të vërtetë të ndara, z. Sveçla dorëzoi Kallëzimin Penal kundër Presidentit, duke ngritur dyshimin e bazuar se Presidenti ka kryer veprën penale “Thirrje për rezistencë” të paraparë në Nenin 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

    Por, ka diçka ndoshta të interpretueshëm në Ligjin për Policinë. Aty thuhet se zyrtari policor nuk duhet të zbatojë urdhra të paligjshëm nëse nuk ka gjendje të jashtëzakonshme.

    Bëhet fjalë për nenin 13 të këtij Ligji.

    Në ketë nen të Ligjit për Policinë shkruan: “Neni 13: Detyra e zyrtarit policor për t’i zbatuar urdhrat e ligjshëm dhe për t’i refuzuar urdhrat e paligjshëm

    1. Zyrtari policor ka për detyrë t’i zbatoj urdhrat e ligjshëm të dhëna nga mbikëqyrësi.

    2. Zyrtari policor ka për detyrë t’i refuzoj urdhrat të cilët janë të paligjshëm dhe të raportoj për këtë menjëherë në pajtim me aktet nënligjore.

    3. Zyrtari policor nuk do të shkaktoj, nxis, mbështes ose toleroj asnjë akt të torturës, degradimit ose trajtimit çnjerëzor në çfarëdo rrethanash, ndërsa asnjë rrethanë e jashtëzakonshme apo urdhër i lëshuar nuk do ta arsyetojë veprimin e tillë”.

    Se a do të jetë ky në argument publik e ligjor për Thaçin do të shihet, siç do të presim edhe për ligjshmërinë e vendimit të Qeverisë.

    Një gjë dihet saktë. Lufta mes Kurtit dhe Thaçit vetëm sa po zgjerohet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!