×
  • Lajme
  • Lajme

    A po kryhen testime për coronavirus në Graçanicë?

    Reporteri
    07 Korrik 2020 | 13:38

    Përkundër vendimit zyrtar që testimi me metodën PCR për koronavirus në Kosovë mund të bëhet vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kjo për një kohë është bërë edhe në një laborator në Graçanicë, me çmim nga 50 euro.


    A.R., nga Prishtina, ka lexuar në rrjetet sociale se testimi bëhet në laboratorin “Human” në Graçanicë, aty ku shumica e popullatës është serbe, pavarësisht asaj se testimi me kërkesë personale nuk lejohet në Kosovë.

    “E lexova në ‘Facebook’, dikush kishte dhënë këtë informacion dhe më pas unë i kontaktova dhe i pyeta se cila ishte procedura, por nuk e bëra testin”, thotë A.R. për radion “Evropa e Lirë”.

    Përse ajo hoqi dorë nga testimi?

    Sipas saj, ajo hoqi dorë nga testimi në laboratorin “Human” kur zbuloi se mostrat dërgohen në Serbi dhe se nuk ishte e sigurt që do të mundë të kalonte pikën kufitare me Malin e Zi me anë të atij testi, pasi kishte planifikuar të kalonte pushimet verore në këtë shtet.

    Mali i Zi kërkon që të gjithë qytetarët e Kosovës që duan ta vizitojnë këtë shtet të paraqesin një test negativ për koronavirus.

    Në laboratorin “Human” në Graçanicë më 4 korrik kanë deklaruar për REL-in se në këtë laborator janë marrë disa mostra për testim për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

    Sipas infermierit Jovica Steviq, pas marrjes së mostrave ato dërgohen për analizë në Shtëpinë e Shëndetit në Nish të Serbisë.

    “Ata e analizojnë testin atje dhe më pas e dërgojnë rezultatin brenda dy ditësh”, tha Steviqi dhe sipas tij “gjithçka është e ligjshme”.

    “Kishte rreth shtatë ose tetë pacientë, ata kryesisht kishin nevojë për testim për shkak se do të udhëtonin për në Mal të Zi”, thotë Svetiqi, nga laboratori “Human”.

    Përgjigje nga Nishi

    Por radioja “Evropa e Lirë” ka mësuar nga institucionet kompetente në Nish se askush nuk ka kërkuar që të analizohen mostrat për testimet për COVID-19 të marra në Graçanicë dhe po ashtu asnjë mostër nga kjo komunë në Kosovë nuk është dërguar në Serbi.

    Në Serbi testimi sipas kërkesës personale ose “testi komercial”, është i mundur që nga fundi i majit dhe qytetarët nuk janë të detyruar që të tregojnë arsyet se pse duan të testohen. Testi me kërkesë personale në Serbi kushton 6.000 dinarë ose 50 euro.

    Në Kosovë asnjë klinikë ose laborator privat nuk ka leje nga institucionet kompetente për të bërë testimet PCR, për të përcaktuar nëse virusi është aktiv. REL-i më 4 korrik e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës se a është në dijeni se një laborator në Graçanicë po merr mostra për testim për COVID-19.

    Nga kjo ministri, të martën, thanë për REL-in se denoncimi se ky laborator është i përfshirë në testime për COVID-19 është përcjellë në Inspektoratin Shëndetësor.

    Ndërkohë, REL-i mëson se nga dita e martë, 7 korrik, ky laborator më nuk po merr mostra për testim për COVID-19.

    Përndryshe, pas rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus në Kosovë kryeministri Avdullah Hoti, më 5 korrik, ka thënë se Qeveria e Kosovës planifikon që të licencojë institucione private të kujdesit shëndetësor për të kryer testime.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!