×
  • Lajme
  • Lajme

    A2CNN: Kurti e Vuçiq mund të takohen në Tiranë më 6 dhjetor

    Reporteri
    25 Nëntor 2022 | 21:57

    Më 6 dhjetor, Tirana do të pres liderët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor së bashku me drejtuesit më të lartë të institucioneve të Brukselit. Samiti që bën bashkë krerët e kontinentit të vjetër do të mbahet në ambientet private të Arenës Kombëtare.

    Sipas një raportimi me burime nga A2 CNN, në samit do të ketë takime dypalëshe ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, ndërsa me interes pritet një ballafaqim i mundshëm mes presidentit Emmanuel Macron dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që mbetet ende për t’u konfirmuar.

    Për ta garantuar mbarëvajtjen e punimeve do të angazhohen më shumë se 1200 policë, që mes të tjerash do të shoqërojnë delegacionet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” deri në qendër të kryeqytetit.

    Pas mbërritjes së tyre në Tiranë, përveç stafeve dhe personave të akredituar, do të jetë e pamundur të kalohet perimetri i sigurisë që nis nga Kryeministria në drejtim të Pallatit të Kongreseve dhe përreth stadiumit “Air Albania”. Pas pritjes zyrtare të delegacioneve nga kreu i qeverisë shqiptare, takimi me dyer të mbyllura është parashikuar të nisë rreth orës 10:30.

    Në këtë tryezë do të diskutohen çështjet si Lufta në Ukrainë, kriza e energjisë, çmimi i naftës dhe gazit, siguria, sfidat e klimës si dhe bursat për të rinjtë. Një pikë që ende nuk ka arritur në finalizim mbetet heqja e tarifave roaming për telefonatat mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

    Punimet e samitit parashikojnë edhe një foto familjare që do të realizohet në Sheshin Italia. Më pas, kryeministri Edi Rama, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, si dhe Presidenti i Këshillit të BE Charles Michael do të dalin në konferencë për shtyp përpara 140 përfaqësuesve të medias, shqiptare dhe ndërkombëtare, që do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

    Ardhja e Emmanuel Macron do të shënojë vizitën e parë të një presidenti francez në Shqipëri. Liderët kryesorë të unionit pas përfundimit të Samitit do të largohen nga Shqipëria brenda ditës të shoqëruar me të njëjtin protokoll sigurie.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!