×
  • Lajme
  • Lajme

    AAK: Projektbuxheti për vitin 2023 cenon buxhetin e komunave, është shkelje e Kushtetutës

    Reporteri
    25 Nëntor 2022 | 13:22

    Projektbuxhetin për vitin 2023, përmes të cilit potencohet se buxheti i komunave do të derdhet në Fondin Buxhetor të Republikës së Kosovës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po e quajnë shkelje të Kushtetutës.

    Kryetari i Deçanit nga radhët e AAK’së, Bashkim Ramosaj, tha se ky projektligj është amandamentuar pa një procedurë të saktë dhe se, si i tillë, u jep goditje financiare komunave, duke iu referuar paragrafit 6, Nenit 9 të Projekt-buxhetit për vitin 2023, ku thuhet se “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

    “Në këtë rast, në këtë paragraf, është cënu diçka që komunave ju jepet edhe me ligj edhe me Kushtetutë, janë taksat që i marrim nga qytetarët për punë kapitale dhe për pagesat e borxheve, kontratave dhe detyrimeve që i ka komuna. Praktikisht, ky është aspekti financiar, goditja financiare që u bëhet komunave, dhe në aspektin tjetër ligjor, çdo ligj kur amandamentohet, duhet të ketë një procedurë të saktë të saj. Në këtë rast është kontrabandu ky nen, ky paragraf, i cili tinëzisht, në projektligjin e buxhetit për vitin 2023, komunat cenohen në buxhet. Sipas këtij propozimi, ky buxhet duhet të jetë pjesë e fondit të Republikës së Kosovës dhe që komunes i tërheket ky buxhet”, tha ai në një konferencë për media.

    Së bashku me drejtorë komunash që udhëhiqen nga AAK-ja, Marqe Selmanaj nënkryetare e Klinës, Durim Halilaj drejtor për Buxhet e Financa në Gjakovë, Afrim Limani drejtor për Buxhet dhe Financa në Rahovec, dhe Përparim Krasniqi drejtor i Shërbimeve Publike në Rahovec, Ramosaj tha se nëse nuk ka reflektim nga Qeveria, të njëjtin do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.

    “Hapat tjerë do të jenë hapa ligjorë, deri te adresimi në Gjykatë Kushtetuese”, deklaroi ai.

    “I bëj thirrje edhe kryetarit të parlamentit, edhe parlamentit të Kosovës, edhe Ministrisë së Financave, edhe Qeverisë e kryeministrit, që të kenë kujdes, të mos cenojnë kompetencat e komunës, sepse do të ishte një precedent i keq administrativ, ligjor, juridik, dhe po ashtu do ishte shumë e kushtueshme për projekte që tashmë komunat janë duke i zhvilluar“, u shpreh Ramosaj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!