×
  • Lajme
  • Lajme

    AAK vendos të hënën nëse shkojnë ose jo në takim tek presidentja Osmani

    Reporteri
    11 Shtator 2021 | 16:59

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk e di nëse do të marrin pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja, Vjosa Osmani, lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.


    Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, i cili ka thënë se të hënën do të vendosin se a do të shkojnë në takim apo jo.

    “Nuk kemi vendosur ende. Jemi duke e diskutuar në strukturat e Alenacës dhe të hënën paradite do të vendosim nëse do të shkojmë apo jo.”, ka thënë Lekaj për Reporteri.net.

    E pavendosur për pjesëmarrjen në këtë takim është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, tha për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se tani për tani nuk mund të përgjigjet lidhur me këtë çështje.

    “Nuk mund të them asgjë, jemi në takim. Më telefono pas një ore”, tha Halimi.

    E për dallim nga këto dy parti, Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në takimin konsultativ me presidenten, duke thënë se kjo parti asnjëherë nuk i është shmangur takimeve institucionale.

    “PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të merr pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do ti shfaqë në takim”, ka thënë zëdhënësi Faton Abdullahu për EO.

    Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe nga partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje, e cila është shprehure gatshme të takohet me presidenten Osmani për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

    “Ne jemi të gatshëm si subjekt të takohemi me Presidenten kurdo që ajo na thërret.”, ka thënë për Telegrafin sekretari për Media dhe Komunikim në LVV, Arlind Manxhuka.

    Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani ftoi të premten partitë politike për një takim konsultativ të hënën, për të diskutuar lidhur me zgjedhjet lokale.

    Në ftesën dërguar partive thuhej se takimi mbahet “për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend”. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!