×
  • Lajme
  • Lajme

    Agim Veliu i reagon Albin Kurtit: Ki të drejtë me fol veç për partinë tane, jo për LDK-në

    Reporteri
    21 Korrik 2019 | 12:04

    Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu i cili njëherësh edhe është nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një bisedë më Gazetën Express, ka folur me përçmim për kërkesën e Albin Kurtit për një bashkëpunim VV-LDK.


    Ai i ka kërkuar Kurtit të flasë vetëm për Lëvizjen Vetëvendosje (VV).

    “Albin Kurti ka të drejtë me fol veç për partinë e vet jo për LDK-në”, tha Veliu kur u pyet se a do t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së Kurtit që të bëhen bashkë për të shkuar në zgjedhje.

    Ai tha se të gjitha idetë diskutohen brenda LDK-së, e jo dikush të flasë në emër të partisë.

    “Gjitha idetë që i ka LDK-ja i diskuton në organet e saja, jo dikush me fol në emër të LDK-së”, tha shkurtë Veliu.

    Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, u ka bërë thirrje Isa Mustafës dhe LDK-së që të bëhen bashkë për të shkuar në zgjedhje. Ka thënë se bashkimi në një subjekt do të sillte një fitore të madhe edhe për Kosovën. Këtë e tha dje në një konferencë për media kur është pyetur edhe për një marrëveshje të mundshme me LDK-në para se të shkohet në zgjedhje.

    “Jemi në komunikim të vazhdueshëm me LDK-në. Jemi të interesuar ta krijojmë paraprakisht një subjekt qe e kthen shpresën në Kosovë dhe formon një efekt sinergjik që edhe dalja të jetë masive dhe jo vetëm një fitore e madhe”, ka thënë Kurti.

    Lideri i VV-së ka thënë se posa të përfundojnë zgjedhjet në LDK do të ketë hapa konkret drejt një marrëveshje politike.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës në fillim të gushtit e përfundon procesin e zgjedhjeve të brendshme dhe do të ndërmarrën hapat tjerë”, ka thënë Kurti.

    Isa Mustafa dhe Albin Kurti ishin takuar kohëve të fundit. Por, s’kishin dhënë shenja se mund të bëheshin bashkë para zgjedhjeve.

    LDK vazhdimisht ka thënë se s’heq dorë nga pozita e Kryeministrit në çfarëdo koalicioni, qoftë edhe parazgjedhor.

    Isa Mustafa, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje për të dalë një Qeveri kredibile.

    Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten, dy muaj pa i mbushur dy vjet të Qeverisë së ndërtuar nga AAK-ja, PDK-ja, NISMA e AKR-ja.

    Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

    Kohëve të fundit, lideri i AAK’së i prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Ëashingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

    Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për ta mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

    Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK-ja ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK-ja e “Vetëvendosje” kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme, sikurse edhe PSD-ja e NISMA e Fatmir Limajt.

    Presidenti pritet që gjatë ditëve në vijim t’i thërrasë partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

    Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila e ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

    Qeveria e Ramush Haradinaj, prej kur e vendosi taksën, mbeti Qeveri e pakicës, e mbështetur për disa vendime nga PSD-ja e Shpend Ahmetit.

    Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

    Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

    Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

    Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!