×
  • Lajme
  • Lajme

    Ahmeti propozoi të hiqen oraret e lëvizjes, të hapen çerdhet, shkollat e kufijtë – kjo është përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë

    Reporteri
    22 Maj 2020 | 18:41

    Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dha dje disa propozime për hapje më të madhe të vendit, pas rënies drastike të rasteve me coronavirus. Ai dha disa ide dhe ato u mirëpritën nga ndjekësit e tij. Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se shume prej këtyre propozimeve ndodhin në qershor, kur fillon faza e tretë e hapjes, shkruan Reporteri.


    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar dje që masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së coronavirusit në vend të rishikohen, shkruan Reporteri.

    Sipas tij, ato tani nuk janë në përputhje me situatën në vend. Kreu i Prishtinës ka dhënë një varg idesh për të shënuar hapje me te madhe në vend.

    “Kemi qenë të parët që kemi kërkuar masat restriktive me 6 mars dhe kemi pas të drejtë. Sot, po kërkojmë që masat të rishikohen në përputhje me situaten. Nuk jam mjek, por këto masa tashmë nuk janë në përputhje me situatën, dhe për më keq nuk po respektohen nga qytetarët – e besa as që ka mundësi të zbatohen nga policia e inspektorët. Është koha që Kosova të intensifikojë rihapjen dhe të veprojë sipas situatës epidemiologjike.
    Fokusi i masave duhet të jetë:
    – Mbrojtja e personave të rrezikuar nga sëmundjet kronike dhe ata të moshës mbi 60 vjet;
    – Izolimi i rasteve pozitive dhe kontakteve potenciale;
    – Rregullat për hapësirat e mbyllura, posaçërisht në gastronomi;
    – Rihapja e çerdheve dhe rihapja graduale e shkollave (klasat 1-5 fillimisht);
    – Maskat si mbrotja primare nga një shpërthim eventual;
    – Të hiqen oraret e lëvizjes;
    – Të hiqet karantina nga Qendra e Studentëve dhe të kthehemi në vetizolim detyrues;
    – Të hapen kufijtë me shtetet që nuk kanë krizë epidemiologjike me prioritet Shqipërinë.
    Faza e dytë nuk ka kuptim te zgjas dy jave.
    Humbjet ekonomike tashmë janë shumë të mëdha. Do te na duhen ide kreative për tu përballë me humbjet që do të zgjat me muaj.
    Ndërsa ne si komuna duhet shpejt të lëvizim drejt qyteteve më të pastra me më pak kerre e më pak ndotje. Tash koha te merremi me pasoja”, ka shkruar Ahmeti.

    Por çka thonë në Ministrinë e Shëndetësisë, institucionin që ka përgjegjësinë e plotë të marrë vendime për masa kufizuese apo hapjen e tyre?

    Në fakt kjo Ministri tash e sa kohë ka nisur implementimin e një plani në disa faza.

    Drejtori i Zyrës për Media në MSh, Faik Hoti tha për Reporterin se këto që ka propozuar Ahmeti hapen në fazën e tretë.

    “Sipas vendimeve të MSh-së është zhvilluar Plani për hapjen graduale ekonomike dhe tash është duke u zbatuar faza e dytë e kësaj hapjeje. Faza e tretë është paraparë të nis më 1 qershor, ndërkohë që, rivlerësimi për shumë veprimtari është duke u bëre tani, përfshirë ceremonitë fetare, tregjet e tjera, palestrat, qendrat e kujdesit ditor (ku hyjnë edhe çerdhet), qendrat tregtare, parqet dhe veprimtari të tjera. MSh merr vendime duke u bazuar në rekomandimet e institucioneve të saj kompetente për vlerësime profesionale sikurse është IKSHPK”, ka thënë ai për Reporterin.

    Ai tha se opinionet kanë të drejtë të shprehen, por vendimmarrja bëhet duke konsultuar disa institucione.

    “Edhe të tjerët, normalisht, kanë të drejtë të japin opinionet dhe propozimet e tyre, bazuar edhe në praktikat e vendeve të tjera; të marrin edhe vendime brenda niveleve të përgjegjësive të tyre, por vendimmarrja në nivel qendror për pandeminë Covid-19 bëhet nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim edhe me institucionet dhe nivelet e tjera, përfshirë edhe komunat”, tha ai.

    “Në fazën e tretë është paraparë lirimi i plotë i gastronomisë, veprimtari të arsimit të lartë sikurse provimet; pastaj testet e maturës dhe të arritshmërisë; hapja e kinemave e teatrove, hapja selektive e aktiviteteve sportive etj. Kjo listë nuk e përjashton mundësinë që të hapen më parë se që është parashikuar edhe veprimtari të tjera, varësisht prej situatës epidemiologjike në vend”.

    Në Kosovë ka 1004 të prekur deri më tash me coronavirus, prej të cilëve 772 janë të shëruar e 29 kanë vdekur. Mbyllja ka shkaktuar ndërkaq humbje të mëdha ekonomike tek bizneset. Qeveria është përpjekur të mbështesë ata në paga dhe qira por edhe forma tjera, sikurse kanë bërë edhe komunat. Nga partitë dhe organizata ekonomike është konsideruar ndihmë jo sa duhet. /Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!