×
  • Lajme
  • Lajme

    Aksioni në veri, kërkohet paraburgim për 30 të dyshuarit – nesër shpallet vendimi

    Reporteri
    30 Maj 2019 | 19:14

    Sot ka përfunduar pjesa e dytë e seancës dëgjimore për 30 të arrestuarit në aksionin e gjerë të Policisë në komunat e veriut.


    Prej 30 të arrestuarve, 19 janë zyrtarë policorë dhe 11 të tjerë qytetarë, ndër të arrestuarit ishte edhe një shtetas rus, ish-punonjës i UNMIK-ut që sot u raportua se ka punuar për inteligjencën ruse.

    Lajmi.net ka kontaktuar me Prokurorin e rastit, Sylë Hoxha i cili ka konfirmuar se ka kërkuar paraburgim, duke treguar se vendimi do të merret nesër.

    “Është kërkuar paraburgim edhe dje edhe sot, në dy seanca që janë ndarë në dy pjesë për shkak të numrit të madh dhe sot janë dëgjuar të gjithë, seanca ka përfunduar mirëpo vendimi merret nesër për shkak të angazhimeve dhe punës voluminoze”, tha Hoxha.

    Ai gjithashtu ka treguar se ka qëndruar pas kërkesës për paraburgim ndaj të gjithëve edhe zyrtarëve policorë por edhe qytetarëve.

    “Nesër pritet të merret vendimi, a unë kam qëndruar në kërkesën për paraburgim ndaj të gjithëve edhe zyrtarëve edhe qytetarëve”, tha prokurori Hoxha për lajmi.net.

    Në mesin e 30 të arrestuarve, ishin 19 zyrtarë policorë, 11 prej tyre serbë, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë.

    E në lidhje me këtë ka reaguar edhe Beogradi zyrtar duke e quajtur si aksion me prapavi etnike dhe politike dhe duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.

    Madje, presidenti serb Aleksandër Vuçiq pati kërcënuar edhe me futje të ushtrisë në Kosovë, deklaratë për të cilën u pendua më vonë.

    Në anën tjetër, reagime ka pasur edhe nga politikanët serb në Kosovë të cilët janë shprehur se ky aksion i policisë është për t’i frikësuar serbët e veriut.

    Ndërsa, liderët kosovarë dhe institucionet e sigurisë e kanë përshëndetur aksionin e Policisë së Kosovës i cili përfshiu edhe qytete të tjera përveç komunave të veriut.

    Madje, krerët e shtetit janë zotuar se lufta kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës do të vazhdojë nga institucionet e sigurisë.

    Ndërsa lidhur me reagimet e Serbisë, zëvendësministri i punëve të brendshme, Izmi Zeka është shprehur se Serbia nuk është e interesuar për stabilitet në Ballkan.

    Njëjtë këtë çështje e ka parë edhe eksperti i sigurisë, Avni Islami i cili është shprehur se ky aksion nuk ka qenë vetëm në veri, por edhe në qytete jugore të Kosovës.

    Ndërkohë, KFOR-i ka reaguar me një njoftim në të cilin thuhet se edhe Bashkësia Ndërkombëtare edhe Serbia kanë qenë të njoftuara për aksionin e Policisë së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!