×
  • Lajme
  • Lajme / Njofton Prokuroria e Prizrenit

    Aktakuzë ndaj një turku, dyshohet se ia mundësoi 124 personave fitimin e shtetësisë

    Reporteri
    09 Shtator 2024 | 14:41

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj një turku, shtetas i Kosovës, pasi dyshohet se i njëjti ka kryer veprat penale “falsifikim i dokumentit zyrtar dhe hyrja e pautorizuar kompjuterike”

    Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se i njëjti që nga viti 2021 deri në vitin 2024, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Mamushës, me dashje ka tejkaluar dhe keqpërdorur autorizimet e tij ligjore, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Sipas aktakuzës, nga data 20.01.2021 në vazhdimësi deri më datë 05.01.2024, i pandehuri M.Ş., – në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Mamushës, me dashje i tejkalon dhe keqpërdor autorizimet e tij ligjore, i njëjti nxjerr dokumente zyrtare të falsifikuara dhe ndërhynë në regjistrin zyrtar duke shënuar të dhëna të rreme dhe me nënshkrimin e tij dhe me vulën zyrtare vërteton dokumentet zyrtare dhe regjistrin me përmbajtje të rreme, në atë mënyrë që i pandehuri fillimisht i regjistron në sistemin e gjendjes civile duke u lëshuar ekstrakte të lindjes dhe ua mundëson fitimin e shtetësisë 124 (njëqind e njëzet e katër) personave, të cilët i regjistron në sistemin e gjendjes civile për fitim të shtetësisë në mënyrë të kundërligjshme, në kundërshtim me Ligjin për Shtetësinë e Kosovës, dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Kriteret dhe Procedurat e Fitimit të Shtetësisë së Republikës së Kosovës. Me këto veprime në vazhdimësi kryen veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Tutje, thuhet se prokurori i çështjes, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimi gjyqësor, i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

    Njëherit, prokurori ka kërkuar që përveç dënimit, atij t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues, “ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!