×
  • Lajme
  • Lajme

    Aktakuzë ndaj policit kosovar, lejoi veturën me diplomantët e huaj të hynë në Kosovë pa dokumentacion adekuat

    Reporteri
    29 Tetor 2019 | 15:53

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër A.A., në cilësinë e zyrtarit policor, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 nënparagrafi 3.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).


    Sipas aktakuzës, i pandehuri A.A., me datë 05.06.2019 rreth orës 12:53 në Pikën Kufitare të Vërmicës, në cilësinë e zyrtarit policor duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk e përmbush me dashje detyrën e tij zyrtare duke rënë ndesh me ligjin e aplikueshëm dhe udhëzimin administrativ, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për persona tjerë, të cilët kanë kaluar kufirin për në Kosovë nga Republika e Shqipërisë.

    “Gjersa ishte në detyrë në PKK të Vërmicës ka lejuar veturën e markës “Opel Zafira”, i cili drejtohej nga E.C., së bashku me personat e huaj punëtorë teknik të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri që të hyjë nga Republika e Shqipërisë për në Kosovë në kundërshtim me procedurat kufitare pa dokumentacion adekuat të udhëtimit, pa pasaportë dhe pa vizë, duke mos kryer kontrollin kufitar, evidentimin dhe verifikimin e tyre sipas ligjeve të Kosovës”.

    “Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri A.A., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në njoftim. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!