×
  • Lajme
  • Lajme

    Aktgjykimi dënues për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari, reagon Bajrami: Mjetet t’i kthehen buxhetit të shtetit

    Reporteri
    07 Dhjetor 2022 | 15:37
    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami

    Në kohën sa ishte ministre e Financave, ndodhi skandali i vjedhjes së rreth 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Sot kur gjykata e shkallës së parë i dënoi me burgim Labinot Grudën e Kadri Shalën për vjedhjen e parave të shtetit, ish-ministrja Hykmete Bajrami deklaron se “hajnat e kanë vendin në burg”.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit, duke i dënuar me 21 vite burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë.

    Në një prononcim për Gazetën Express, ish-ministrja Hykmete Bajrami, tani deputete e LDK-së në Kuvend, tha se dënimi i sotëm tregon se rastet e vjedhjeve nuk ngelen pa u ndëshkuar.

    Ajo ka kërkuar që mjetet e shtetit të kthehen sa më parë në buxhetin e shtetit.

    “E denoncova vjedhjen e 2.1 milionshit dhe sot ka vendim të Gjykatës. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund. Vendimi i sotshëm i Gjykatës tregon se kur ka bashkëpunim në mes të institucioneve, rastet e vjedhjeve nuk ngelën pa u ndëshkuar. Unë besoj shumë se organet e drejtësisë dhe institucionet tjera përgjegjëse do të bashkërendojnë aktivitetet, që mjetet e vjedhura të kthehen sa më parë në buxhetin e shtetit. Hajant e kanë vendin në burg. Secili zyrtar që abuzon duhet të zbulohet, të denocohet dhe hajant duhet të marrin dënime kapitale”, tha Bajrami.

    Vjedhja e 2.1 milionëve nga Thesari, 21 vjet burgim dhe mbi 41 mijë euro gjobë për Labinot Grudën e Kadri Shalën

    Gjykata ka njoftuar se i akuzuari Labinot Gruda, “është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 11 (njëmbëdhjetë) viteve dhe dënim me gjobë në shumë prej 8.500 ( tetë mijë e pesëqind ) euro për veprat penale të cekura si më lartë, të cilin dënim është i obliguar që ta paguaj në afatin prej 30 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, po ashtu i shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose ne shërbimin publik për periudhën 6 vjeçare, nga dita kur aktgjykimi të marrë formën e prerë, koha e kaluar në vuajtje të dënimit nuk llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi plotësues”.

    Ndërsa, i akuzuari Kadri Shala “është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) vite dhe dënim me gjobë në shumë prej 33.000( tridhjetë e tre mijë euro) për veprat penale të cekura si më lartë, të cilin dënim është i obliguar që ta paguaj në afatin prej 30 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!