Albena Reshitaj: Jam pjesë e AAK-së, mendimi ndryshe është pjesë e demokracisë

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, përmes një postimi në Facebook ka sqaruar pse vendosi që dje të qëndrojë në seancë kur po votohej për president.


Ajo thotë se janë dy arsye, mos shkuarja në zgjedhjet ë reja, dhe mos lesjimi që Lista Serbe ta bllokojë vendin me direktiva të Beogradit.

Reshitaj thotë se ajo vazhdon të jetë pjesë e AAK-së, dhe beson që mendimi ndryshe është pjesë e demokracisë brenda partisë që i takoj.

Postimi i saj:

Të dashur qytetarë dhe votues të nderuar,

Ashtu siç kam bërë të ditur në paraqitjet e mija në Kuvendin e Kosovës, po e ndjej obligim të sqarohem edhe njëherë rreth vendimit tim për të qëndruar në seancë kur po votohej për president.

Janë dy arsye kryesore për këtë:

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë në një situatë të rënduar nga Pandemia, do të ishin rrezik tepër i madh për qytetarët tanë, të cilët sot më shumë se kurrë kanë nevojë që institucionet të merren me menaxhimin e kësaj gjendje dhe jo të kontribuojmë që situata të përkeqësohet. Si një profesioniste shëndetësore nuk kam mundur ta bindi vetën që diçka e tillë të ndodh.

Së dyti, me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në integritetin e shtetit të Kosovës, është fakti se ne nuk mund të lejojmë që Lista Serbe të arrijë që ta bllokoj vendin me direktiva nga politika e Beogradit ashtu siç kemi qenë të detyruar në të kaluarën.

Qëndrimin tim e kam shfaqur secilën here në forumet tona partiake, ku kam dhënë mendimin dhe kam propozuar e argumentuar nevojën e reflektimit politik, me qëllim të konsolidimit institucional.

Ndërkaq për zërat dezinformues dhe me tendenca të caktuara se gjoja mund të ketë qënë ndonjë interes personal i imi që më ka shtyer të marr atë vendim, më vjen keq për nivelin e tillë të propagandave dhe trillimeve. Në këtë aspekt e ritheksoj që qëndrimi im është i bazuar vetëm në arsyet humane dhe profesionale sepse kështu e kam të ndërtuar karakterin dhe personalitetin tim. Për këtë, më mirë se çdo fjalë e thënë, koha do t’i dëshmojë të gjitha.

Poashtu dua të bëj me dije se nuk është e vërtetë që jam larguar nga partia të cilës i takoj dhe kam kaluar në ndonjë grup tjetër parlamentar, ashtu siç përgënjeshtroj çdo tendencë që e përfshijnë emrin tim si një kandidate eventuale për kryetare të Komunës së Suharekës.

Unë jam pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës derisa besoj që edhe mendimi ndryshe është pjesë e demokracisë brenda partisë që i takoj.

/Reporteri.net/.