×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti e Vjosa Osmani “bashkë” në Gjermani, pritet koalicioni

    Reporteri
    09 Dhjetor 2019 | 19:31

    Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, me ftesë të institucioneve gjermane ka udhëtuar dje për në Gjermani për vizitë tre ditore dhe kështu është bërë “bashkë” me kreun e VV-së, Albin Kurti, i cili po qëndron atje prej disa ditësh.


    Osmani do të qëndrojë në Berlin deri të mërkurën, ku do të marrë pjesë në konferencën “Kosovo after the elections: A political earthquake and its cosequences”, të organizuar nga Bundestag dhe organizata të tjera gjermane.

    Shkuarjen e Osmanit në Gjermani e ka konfirmuar për Reporteri.net deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

    “Po Vjosa ka udhëtuar dje në Gjermani dhe do të qëndrojë tre ditë. Atje do të marrë pjesë në një konferencë”, ka thënë Avdyli për Reporteri.net.

    Por burime të Reporteri.net brenda LDK-së bëjnë të ditur se gjatë vizitës, Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Kancelares Agnela Merkel, të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, të Parlamentit gjerman dhe të partisë CDU, ndërsa temë kryesore do të jetë ndërtimi i koalicionit të LDK-së me VV-në.

    Në Berlin po qëndron prej ditësh edhe kreu i VV-së, Albin Kurti.

    Arlind Manxhuka zyrtar për media në Vetëvendosje ka konfirmuar se Kurti është ende në Gjermani.

    I pyetur se a është kthyer Kurti në Kosovë, Manxhuka ka thënë shkurt për Reporteri.net “Jo ende”.

    Mbetet të shihet nëse bërja “bashkë” e Kurtit dhe Osmanit në Berlin do të prodhojë brenda kësaj jave koalicionin qeverisës.

    Këtë e përforcon më shumë deklarata e bërë sot nga ambasadori gjerman Christian Heldt i cili ka shkruar në “Twitter” se kjo javë është vendimtare për formimin e koalicionit ndërmjet VV-së e LDK-së.

    “Rrezet e diellit po depërtojnë përmes mjegullës e reve. Një ogur i mirë në këtë mëngjes të së hënës për t’i rrumbullakuar me sukses bisedimet për koalicion. Kosova ka nevojë për qeverinë e re, ne të gjithë dëshirojmë që t’i kthehemi punës. Ju uroj fillim të mbarë të kësaj jave vendimtare”, ka shkruar ambasadori Heldt.

    Kujtojmë se Kurti e Mustafa nuk janë dakorduar në takimin e fundit për lidhjen e koalicionit qeverisës, pasi pengesë u bë ndarja e pozitave ministrore dhe veçanërisht pozita e presidentit të vendit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!