Albin Kurti gjeti kohë edhe për flinë e Shpejtim Bulliqit, por e harroi Erden Atiqin që garon në Mitrovicë

Zgjedhjet lokale në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut që do mbahen më 29 nëntor kanë intensifikuar aktivitetin e partive politike që janë në garë për të marrë pushtetin në këto komuna.


Krerët partiakë kanë dalë në mbështetje të kandidatëve që po garojnë në këto komuna, por në këto paraqitje mbështetëse të fushatës është vënë re një mospërputhje mes Podujevës e Mitrovicës së Veriut, shkruan Reporteri.net.

Kreu i LVV, Albin Kurti, para disa ditësh kishte filluar në mënyrë indirekte fushatën e VV-së në Podujevë përmes fotos së famshme me fli Llapi në konakun e kandidatit të partisë, Shpejtim Bulliqi.

Ndërkaq sot fushatën e ka hapur edhe zyrtarisht para llapjanëve, duke u zotuar se nën udhëheqjen e Bulliqit do ketë drejtësi institucionale dhe jo punësime me librezë partie e mbiemër farefisi.

Por, Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje lokale ka edhe një kandidat për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut. Ai është Erden Atiq.

Pas fushatës së intensifikuar në Podujevë, është vënë re fushata e munguar në Mitrovicë Veriore.

Lëre që nuk e vizitoi, por Kurti deri tash nuk ka dalë as me ndonjë fjalim a formë përkrahjeje për kandidatin Atiq.