Albin Kurti pranon urime nga Kancelarja Merkel: Mund të llogarisni në mbështetjen dhe partneritetin e Gjermanisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar telegram urimi nga Kancelarja Federale e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, me rastin e rizgjedhjes së tij si Kryeministër i vendit.


Kancelarja Merkel ka thënë se në përballje me detyrat sfiduese, Qeveria juaj dhe vendi juaj mund të llogarisin në mbështetjen dhe partneritetin e Gjermanisë.

Në telegramin e urimit, Kancelarja Merkel ka veçuar vëmendjen ndaj pandemisë COVID-19 dhe synimet e qeverisë së re për reformat në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka përmendur si çështje edhe dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Kancelarja Merkel i ka uruar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti shumë suksese në fushat që përbëjnë çelësin e konkretizimit të perspektivës evropiane të Kosovës”, njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës.